SHKB-ja arreston dy efektivë policie

05/08/2014 00:00

Dy efektivë policie të Aeroportit të Rinasit janë arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brëndshëm mbrëmjen e së martës pasi rezulton se u është larguar një person i ekstraduar nga Italia.

Burime nga policia bëjnë të ditur se shtetasi shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, pasi ka kryer procedurat e verifikimit në Komisariatin e Rinasit, ku ka rezultuar se ishte i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje, në shkaqe ende misterioze ka arritur të arratiset nga ambientet e Komisariatit.

Mësohet se menjëherë pas arratisjes, ai është larguar me një automjet, i cili e priste jashtë rrethimit të aeroportit. Menjëherë efektivët e policisë janë vënë në ndjekje të makinës dhe në afërsi të Urës së Gjolës në afërsi të Fushë-Krujës, kanë gjetur makinën e braktisur, por asnjë shenjë të të arratisurit.  

Ndërkaq, bashkë me dy efektivët e policisë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, janë shoqëruar dhe 4 persona të tjerë të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në arratisje. Nga ana e tyre, oficerët e SHKB-së janë duke punuar për të zbardhur të gjitha rrethanat e arratisjes dhe veprimeve apo mosveprimeve të kryera nga dy efektivët e policisë.

Top Channel