Meta: Grabitja nuk cënon rolin e BSH

30/07/2014 00:00

Për herë të parë kreu i Kuvendit Ilir Meta ka folur publikisht për superskandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë.

Kryeparlamentari shprehu besimin tek institucionet e gjyqësorit për të zbardhur ngjarjen dhe dënuar maksimalisht autorët, por i mëshoi një mesazhi.

“Kjo ngjarje nuk mund të cënojë rolin e Bankës së Shqipërisë si një faktor shumë i rëndësishëm që ka qenë deri më tani për stabilitetin makro-ekonomik dhe financiar të vendit dhe jam i bindur që do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Është një ngjarje që nuk duhet të përdoret për të dëmtuar reputacionin e bankës”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit iu përgjigj interesimit të medias edhe për seancën e së enjtes, ku pritet miratimi dhe votimi i ndarjes së re territoriale. Duke iu referuar disa qendrimeve kundërshtuese të deputetëve brenda koalicionit qeverisës dhe opozitës, Ilir Meta ftoi që askush të mos e përjashtojë veten, sic tha ai.

Meta legjitimoi protestat e banorëve në disa komuna të vendit që kanë kundërshtuar ndarjen e zonës së tyre sipas reformës, kur tha se është e natyrshme që të ketë reagime paraprake për një reformë kaq të rëndësishme dhe radikale që zvogëlon nga 400 në 61 njësitë e pushtetit vendor, por nuk mohoi ndryshime të momentit të fundit, për të mundësuar një variant sa më të mirë të reformës.

“Sigurisht që ka gjithmonë vend për kritika, por çdo përmirësim që mund të ndodhë është i mirëpritur dhe çdo kontribut i opozitës deri në fund është i mirëpritur”, deklaroi kreu i Kuvendit.

Top Channel