PD: Politikat e qeverisë kërcënojnë ekonominë

29/07/2014 00:00

Partia Demokratike doli me konkluzione të kundërta nga ato të qeverisë, kur me analizën që i bën të dhënave ekonomike, opozitës i rezulton se gjatë këtyre 300 ditëve rritja ekonomike është e kërcënuar për shkak se politikat  e qeverisë për rritjen e borxhit dhe për rritjen e taksave, si dhe për shkak të pasigurisë për bizneset vendase dhe të huaja sollën rritje të papunësisë, rënie të prodhimit dhe rënie të konsumit.

Opozita ndan të njëjtin opinion si ish-kryeministri Berisha se organizmat ndërkombëtare financiare duhet të reagojnë ndryshe në raport me qeverinë.

Ridvan Bode, ish-Ministër i Financave: 200-300 mln eurot që deklarohen e dëgjojmë cdo ditë me bujë në këmbim të marrëveshjes me FMN dhe BB, shumë të rëndësishme për të ruajtur stabilitetin e këmbimit në këtë vit kur balancat vazhdojnë të dëmtohen, nuk rezulton deri më sot të jetë i dobishëm për të financuar rritjen e ekonomisë.

Sali Berisha, ish-Kryeministër: Ndërhyjra e Fondit ishte e rëndësishme, por shoh se këto institucione kanë rrezik të shndërrohen në aleatë të regjimit më kleptokratik të Europës dhe u bëj thirrje nga kjo platformë të rishqyrtojnë qendrimin e tyre. Nuk ka asnjë tregues që të faktojë se ekonomia po rritet. Cdo tregues serioz tregon se ekonomia është në pikiatë.

Lulzim Basha, Kryetar i PD: Treguesit e qeverisë me mbledhjen e të ardhurave dhe shpenzimet e tyre flasin vetë se cfarë politike shkatërrimtare ka ndjekur qeveria në raport me ekonominë në këto 300 ditë, rënie e cila kap vlerën prej 3.8 mld lekë krahasuar me vitin 2013 dhe që thellohet krahasuar me dy vitet paraardhëse.

Përfaqësuesit e biznesit nga Konfindustrua dhe Dhoma e Tregtisë i kërkuan opozitës të ngrejë zërin e saj në parlament, Por kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, konfirmoi qëndrimin e opozitës jashtë parlamentit përsa kohë, sic thotë zoti Basha, Kryeministri thur skenare ogurzinj kundër opozitës.

“Në parlament është ngritur një instrument dhune kundër opozitës, një infrastrukturë dhunë e përbërë nga njerëz që janë marrë me trafik droge, prostitucion, pengmarrje, madje edhe me vrasje. Mendoj se opozita ka marrë vendimin e përgjegjshëm për të shmangur një skenar gjakderdhjeje. Kemi marrë një hap të përgjegjshëm të shmangjes së cdo marrëdhënie me një strehë të krimit dhe presim reflektimin e cdokujt. Shqiptarët gjithmonë e më shumë po ndërgjegjësohen. Kjo nuk është rruga. Asnjë mazhorancë, sado ta ndjejë veten të fortë, kur në fakt dita-ditës po dobësohet, gjithmonë e më shumë nën presionin e krimit që vetë e ka veshur me pushtet parlamentar”, deklaroi kreu i demokratëve, Lulzim Basha.
 
Gjatë konferencës maratonë për ekonominë u përmend vetëm një herë fare shkurt nga Konfindustria superskandali i vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, ndërsa nga përfaqësuesit më të lartë të opozitës nuk ka ende asnjë reagim për këtë ngjarje të rëndë, që ka cënuar sigurinë e sistemit  financiar të vendit.

Top Channel