300 ditët e legalizimeve dhe turizmit

29/07/2014 00:00

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, tha se qeveria ka ndërmarrë nisma ligjore të rëndësishme, për të cilat, në 300 ditët që vijnë, nevojitet plotësimi me akte nënligjore, që mundësojnë zbatimin e tyre.

Sfidë e rëndësishme, sipas Gjermenit, është forcimi i kontrollit të territorit, realizimi i procesit të legalizimeve dhe urbanizimi i zonave informale në vend. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, tha se janë rreth 45 mijë dosje, të cilat duhet të bëhen nga e para, për të cilat qytetarët kanë paguar, por nuk kanë marrë asnjë shërbim, ndërsa janë shfuqizuar lejet e dhëna në muajt e fundit.

Lame u bëri thirrje emigrantëve, që vijnë gjatë sezonit veror në Shqipëri, që të paraqiten në sportelet e ALUIZNI-t për të bërë kërkesat për legalizim, duke deklaruar se kjo kategori do të ketë përparësi, për shkak të qëndrimit të tyre të përkohshëm.

Lame tha, po ashtu, se janë ulur ndërtimet pa leje në zonat informale, por denoncoi rritjen e atyre, që i quajti objekte me leje të kundraligjshme. Këto objekte, sipas kreut të ALUIZNI-t, po ndërtohen me leje të pushtetit vendor, si në rastin e Bashkisë së Tiranës, apo zonave turistike, në vende ku nuk lejohet të kryhen ndërtime.

Top Channel