PD: Policia dhunon familjen dhe pronën e saj

25/07/2014 00:00

Partia Demokratike ka denoncuar aktet e dhunës së Policisë së Shtetit, sipas saj, ndaj një familjeje në Kombinat.

Servete Xhafa tregon: “Kemi pasur një konflikt pronësie. Dola tek pronat me djemtë dhe burrin. Pa dhënë asnjë sqarim, djemtë dhe burrin m’i shoqëruan në komisariat, ndërsa unë ndenja tek prona. Na kanë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht. Më kanë goditur në kokë dhe brinjë.”

Koordinatori për mbrojtjen ligjore në PD, Ervin Salijanji, e ka cilësuar të paprecedentë këtë sulm, duke hedhur akuza mbi ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri: “Rasti flet vetë. Policia e Shtetit ka kryer një ndërhyrje kundër traditës, moralit shqiptar dhe ligjit. Është dhunuar prona private dhe një zonjë, e cila është lënë e shtrirë dhe nuk është lajmëruar ambulanca pas keqtrajtimit. Kjo është bërë pasi kjo zonë është zona elektorale e ministrit të Brendshëm. Policia e Shtetit është kthyer në një polici private dhe partiake në shërbim të qeverisë dhe të ministrit të Brendshëm.”

Në fund, Salijanji i ka bërë thirrje Prokurorisë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve.

Top Channel