Kalon ligji për policinë, mungojnë ‘rebelët’

25/07/2014 00:00

Kryetari socialist i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafa u duk shumë i çliruar pasi ligjit me 145 nene për Policinë e Shtetit po i vinte fundi dhe pa kundërshtitë e dy mbledhjeve të fudit, ku deputeti socialist Tom Doshi jo vetëm kundërshtoi ligjin, por akuzoi rëndë ministrin e Brendshëm.

“Faleminderit, dakord kolegët? Miratohet! Ja si jeni sot, kur punoni kështu…”, tha Xhafa.

Këtë herë Tom Doshi nuk ishte, ndërsa ra në sy edhe mungesa e deputetit tjetër socialist, Mark Frroku, si dhe largimi shumë herët i deputetit Armando Prenga.

Ligjit iu bënë disa ndryshime, përfshirë edhe pjesës për Byronë Kombëtare të Hetimit, ndërsa çështjes së Gardës së Republikës nuk iu dha zgjidhje përfundimtare. Këtë do ta bëjë komisioni i sigurisë, i drejtuar nga Spartak Braho, njëri nga deputetët që kundërshton variantin e ministrisë.

“Ka vërejtje e sugjerime? Dy rekomandime për komisionin përgjegjës, le t’i shqyrtojë. Dakord? Dakord!”, u shpreh Xhafa.

Situata në komisionin e ligjeve nuk dukej dhe aq qetë, por tensioni në komunikimin mes deputetëve ra, kur ata morën vesh nga gazetarët lindjen e djalit të kryeministrit.

Emri që kryeministri ka zgjedhur për djalin e tij, Zaho, habiti jo pak deputetët, të cilët harruan për pak momente diskutimin e ligjit për Policinë e Shtetit, por edhe kjo situatë në fakt pati efektin e vetë relaksues.

Relaksimi i mazhorancës ka kohë të zgjasë deri të martën në mëngjes, kur komisionit të lgjeve i duhet të mblidhet sërish për të miratuar edhe në tërësi ligjin për Policinë e Shtetit, një akt që mungoi këtë herë për shkak të mungesës së disa deputetëve.

“Faleminderit, miratohet për sot”, shtoi Xhafa.

Top Channel