Ligji për aftësinë e kufizuar

18/07/2014 00:00

Personat me aftësi të kufizuara kanë pritur sërish para dyerve të kryesisë së Kuvendit  duke këmbëngulur për të takuar kryetarin e këtij institucioni,Ilir Meta por prej katër ditësh ata nuk arrijnë të realizojnë këtë takim.

Komisionieri i Avokatit të Popullit, i cili përfaqëson këtë kategori, por dhe në emër të institucionit të Avokatit të Popullit i bën thirje Ministrise së Punës dhe Mirëqënies Sociale të përfshijë në projekt-ligj kërkesat e personave me aftësi të kufizuara, ndërkohë që shprehet se projekt-ligji i është dërguar dhe Avokatit të Popullit, por nuk i është lënë kohë e mjaftueshme për reflektim.

“Vëmë re një shqetësim të personave me aftësi të kufizuara dhe organizatave të tyre, u bëjmë thirrje palëve, ministria, qeveria në tërësi dhe parlamenti në të cilin do të shqyrtohet ky ligj që të mos marrin vendime me shpejtësi”, tha Ermir Kapedani, komisioner i Avokatit të Popullit.

Kreu i aftësisë së kufizuara tha se ky projekt-ligj synon shkatërrimin e strukturave të ngritura të shoqatave të personave me aftësi të kufizuara për të mos i lejuar të reagojnë apo protestojnë. Sipas tij, qeveria po ndërton vetë organizata për të përfaqësuar këto kategori.

“Ne e kuptojmë fare mirë që prishja e strukturave duhet bërë për faktin se nuk duan të njëjtën rezistencë, nuk duan të protestojmë, nuk duan të njëjtën oponencë, nuk duan të njëjtat kundërshtime që ne i kemi bërë qeverisë së kaluar. Ata e kanë parë potencialin tonë  para 23 qershorit. Organizatat kombëtare të aftësisë së kufizuar janë anëtare të organizatave europiane dhe janë pararojë në rajonin tonë. Ne kemi pozicione drejtuese në këto nivele, por as që do ta dijë fare Ministri Veliaj sepse ja kanë zënë sytë interesat e fondacioneve që i vijnë rrotull. Por ne për këtë do të luftojmë, ashtu sic ka thënë ai, sy për sy e dhëmb për dhëmb”, deklaron Sinan Tafaj, Presidenti i Këshillit të Aftësisë së Kufizuar.

Projekt-ligji për përfaqësimin e aftësisë së kufizuar pasi të diskutohet në Komisionin e Çështjeve Sociale do të kalojë në parlament për miratim.

Top Channel