Dështimi i marrëveshjes

17/07/2014 00:00

Grupi prej tri subjekteve politike LDK-AAK dhe Nisma ka hequr dorë mëngjesin e së enjtes nga nënshkrimi i marrëveshjes me Vetëvendosjen për bashkëqeverisje pasi kishin rënë dakord të mërkurën në mbrëmje.

Kështu sqaroi deputeti nga radhët e Vetëvendsojes, Visar Ymeri, i cili, ndonëse nuk sqaroi se ku ndodhi sërish ngecja, njoftoi se LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma u tërhoqën sërish.
 
“Mbrëmë ramë dakord për të gjitha pikat, ndërsa sot në mëngjes ka pasur një refuzim për disa prej pikave nga të tjerët dhe nuk e kemi nënshkruar marrëveshjen. Vetëvendosja është e hapur për të vazhduar negociatat nëse të tjerët do të duan ta bëjnë këtë gjë”, tha Ymeri.
 
Për deputetin e LDK-së, Armend Zemaj, është pozitive që lëvizja Vetëvendosje mori pjesë në seancën konstituive duke treguar edhe qëndrimin kundër Partisë Demokratike të Kosovës.
 
“Vetëvendosja ishte pjesë e votimeve në seancë plenare dhe kjo tregon që të gjitha grupet parlamentare mendojnë që qeveria e kaluar e ka marrë ndëshkimin”, u shpreh Zemaj.
 
Liderët e LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Lëvizjes Vetëvendosje zhvilluan një takim të fundit para seancës konstituive të mërkurën në mbrëmje për çka pati informaicone se marrëveshja në parim ishte arritur.

Top Channel