KLD: Projektligji, me pasoja të rënda

16/07/2014 00:00

Këshilli i Lartë i Drejtësisë jep mendimin kundër për projektligjin për organizimin dhe funksionimin e KLD-së duke kërkuar qeë ky proces të ndërpritet pasi mund të ketë pasoja shumë të rënda dhe të pariparueshme.

Nëpërmjet nje letre të dërguar kryetarit të Komisionit Parlamentar për Cështjet Ligjore, zotit Fatmir Xhafaj dhe ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, anëtarët e Këshillit të  Lartë i Drejtësisë shprehen se e meta kryesore e ndryshimeve në ligjin e KLD-së është fakti se ai ka probleme të rënda kushtetuese, është në konflikt me disa ligje që rregullojnë sistemin gjyqësor dhe heq sovranitetin e vetë KLD-së duke cënuar sigurinë juridike dhe duke minuar sistemin e drejteësisë.

Për Këshillin, përbën shqetësim procedura e ndjekur e cila e vendos KLD-në në trysni dhe nuk zgjidh problemin, por zhyt sistemin në trysni. KLD-ja thotë se me këto ndryshime ligjore i hiqet e drejta të verifikojë mandatin e anëtarit të Këshillit të zgjedhur rishtas, duke qenë se verifikimi i një anëtari të ri është një e drejtë kryesore, e parë në këndvështrimin e pavarësisë.

Heqja e kësaj të drejte për KLD-në krijon konflikt të pastër kompetencash midis parlamentit me Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo Konferencën Gjyqësore. Sipas shumicës së anëtarëve të saj, përgjithësisht ky projektligj nuk sjell asgjë të re në punën e Këshillit, por synon realisht zvogëlimin e kompetencave.

Nuk janë respektuar, thonë anëtarët, rregullat e parimet bazë siç mund të jetë konsultimi paraprak me këtë institucion dhe në dijeninë tonë, thuhet më tej, nuk ka patur kohë fizike që të bëhet me asnjë nga palët realisht të interesuara. Si shqetësim, anëtarët parashtrojnë se për këto ndërhyrje nuk ka asnjë rekomandim të organizmave që monitorojnë sistemin e drejtësisë, aq më tepër theksohet në letër që nuk janë marrë parasysh ndërhyrjet e kërkuara më herët nga partnerët ndërkombëtarë.

Në këtë pikë evidentohet rekomandimi i kahershëm për rregullimin me ligj të kompetencave të dy inspektoriateve për liberalizimin e ekskluzivitetit të ministrit për kërkesat për procedim disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe për krijimin e  komisioneve të përhershme në Këshill.

Në letër thuhet gjithashtu se KLD-ja mbetet e hapur për bashkëpunim në reformën në drejtësi dhe se një grup pune dy vjet më parë ka hartuar një draft për ndryshime duke propozuar ndryshimet në lidhje me pozicionin e ministrit në procedimin e gjyqtarëve, përcaktimi i rolit të anëtarëve të KLD-së, parashikimi i mënyrës së shkarkimit të gjyqtarit, por për fat të keq, thuhet më tej, asnjë nga këto propozime nuk është marrë në konsideratë.

Për mendimin tonë, mbyllet letra, në mënyrën më emergjente duhet të stopohet ritmi i këtij procesi i cili mund të ketë pasoja shumë të rënda dhe të pariparueshme.

Top Channel