Shërbim privat në spitalet publike

15/07/2014 00:00

Ministria e Shëndetësisë propozon që për herë të parë një pjesë e shërbimit shëndetësor publik të ofrohet në bashkëpunim për partnerë jopublikë duke filluar nga “chek-up” falas për moshat 40-65 vjeç, deri tek pajisjet e rëndësishme diagnostikuese në shëndetësi.

Duke folur para deputetëve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja sqaron se në këtë formë mund të rriten investimet dhe njëkohësisht dhe cilësia e shërbimit ndaj pacientit.

“Do të realizohet pranë qendrave publike shëndetësore nga mjekët dhe infermierët tanë, por i gjithë investimi fillestar dhe gjithë administrimi i logjistikës do të realizohet nga një partner jopublik”, u shpreh ministri.

Beqaj ka theskuar në Komision se për këtë partneritet publik-privat pacienti nuk do të paguajë asgjë pasi gjithçka do të mbulohet nga buxheti i shtetit apo Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor: “Janë tarifa që do të paguhen nga buxheti i shëndetësisë. Nuk do të ketë asnjë lloj tarife për qytetarët, qofshin këta të siguruar apo jo.”

Ministri i Shëndetësisë ka kërkuar shtimin e tre qendrave të reja shëndetësore ku mund të ofrohet shërbimi i dializës për pacientët si Korçë, Lezhë dhe Vlorë nëpërmjet partneritetit publik-privat.

Po kështu, për pacientët nga Tropoja apo qytete të tjera që e kanë më të lehtë të marrin këtë shërbim në Gjakovë, fondi i sigurimeve të mbulojë kostot edhe atje.

Ky partneritet publik dhe jo publik, tha Beqaj, ka rezultuar efikas dhe nga ana tjetër rrit cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.

Top Channel