“Një shtet, një polici”, premtimi i mazhorancës që në fushatën elektorale, sipas Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri do të gjejë zbatim me ligjin e ri për Policinë e Shtetit.

“Ndërtimet pa leje, shkelje dhe veprat penale në fushën e krimeve kundër mjedisit, ndonëse dukej sikur nuk preknin qytetarët, cënojnë rëndë shoqërinë dhe kapacitetet e saj për të përmirësuar jetën tonë. Parimi një shtet një polici rregullon, hedh bazat për të rregulluar në mënyrë përfundimtare anarkinë e kompetencave ndërmjet shumë policive dhe për të përqendruar kompetencat të ndjekjes penale edhe për këto vepra në funksionimin e përditshëm të Policisë së Shtetit”, deklaroi para Komisionit të Sigurisë, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Gjatë prezantimit të këtij projektligji Tahiri shpjegoi mënyrën e funksionimit edhe të Byrosë së Hetimit.

“Ligji i Policisë së Shtetit nuk mund të adresojë të gjitha aspektet e reformimit të drejtësisë penale, por e sigurtë është që krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit kështu sic e kemi parashikuar, hedh një hap të rëndësishëm në kapacitetin e Policisë së Shtetit për t’iu përgjigjur sfidave dhe për të luftuar me tolerancë zero krimin e organizuar dhe korrupsionin, vecanërisht atë elitar”, shtoi Tahiri.

Vetëm 1 përqind e Policisë së Shtetit mund të jetë civile, kjo për shkak të rekrutimit të profesionistëve të fushave të ndryshme dhe sidomos të inxhinierëve elektronike dhe informatike.

“Ky lloj krimi imponon domosdoshmërinë që Policia të hapet ndaj shoqërisë dhe të thithë njerëzit më të kualifikuar nga shoqëria që të bëhen pjesë e hetimeve për të garantuar që Policia e Shtetit të zhvillojë punë hetimore të mirëfilltë dhe të plotë dhe për të çuar përpara drejtësisë ata që sot ja hedhin paq pse kanë më shumë njohuri se sa vetë agjencitë e zbatimit të ligjit”, përfundoi Ministri i Brendshëm.

Top Channel