BE: Politika të bashkëpunojë

15/07/2014 00:00

Bashkimi Europian kërkon nga politika shqiptare që të bashkëpunojë në realizimin dhe përshpejtimin e reformave që çojnë vendin drejt integrimit.

Apeli është përsëritur këtë herë nga Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Clive Rumbold. Në një konferencë për mediat me Ministren e Integrimit, Klajda Gjosha ai bëri thirrje që Kuvendi të shmangë sulmet personale dhe të marrë vendime për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Kuvendi është një vend për përfaqësuesit e njerëzve. Të zgjedhurit nga publiku duhet të marrin vendime për të mirën e të gjithëve. Nuk duhet të biem pre e çështjeve individuale dhe debateve personale. Parlamenti ka për detyrë të hartojë dhe miratojë ligje. Duhet qëndruar larg mosmarrëveshjeve personale, por të mendojnë që Shqipëria të shkojë drejt BE-së”, tha Rumbold.

Nga ana e saj Ministrja Gjosha shprehu angazhimin e qeverisë në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për integrimin. Ajo veçoi reformën në drejtësi si më të rëndësishmen, ndërkohë që u ndal edhe tek liria e medias në vend ku tha se ka përmirësim të ndjeshëm dhe për ta garantuar këtë deklaroi se përfaqësues të medias do të ftohen të bëhen pjesë e komitetit kombëtar të integrimit.

Top Channel