Gjykata Administrative rrëzon Ina Ramën

14/07/2014 00:00

Gjykata Administrative ka rrëzuar padinë civile të ish-Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, e cila kërkon në rrugë gjyqësore që të detyrohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë ta emërojë në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Po ashtu, Gjykata rrëzoi edhe kërkesën e zonjës Ina Rama për dëmshpërblimin nga ana e KLD-së të vonesës prej dy vitesh, gjatë të cilës ish-Prokurorja e Përgjithshme ishte në pritje për t’u emëruar në gjyqësor, si edhe dëmshpërblimin e saj pasi sipas zonjës Rama ishte fyer nga anëtarët e KLD-së gjatë mbledhjes.

I kontaktuar nga Top Channel, përfaqësuesi i ish-Prokurores së Përgjithshme, avokati Fatmir Braka, tha se do t’i drejtohet menjëherë Gjykatës Administrative të Apelit pasi e shikon këtë vendim si të pambështetur në provat e depozituara në Gjykatë.

Ky vendim, tha zoti Braka, është politik, ashtu sikundër paralajmërova një javë më parë kur thashë se edhe pse nuk mund ta paragjykoj vendimin që do japë Gjykata, e shikoj si të dyshimtë influencën e KLD-së në Gjykatën Administrative.

Ish-Prokurorja e Përgjitshme përgjatë viteve 2007-2012 depozitoi padinë civile menjëherë sapo KLD-ja refuzoi ta kthejë në gjyqësor edhe pse ajo më herët ishte pjesë e togave të zeza, e konkretisht në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, për të cilën ish-prokurorja thotë se nuk mund të emërohet atje duke qenë se do t’i duhet të shpallë moskompetencën për mjaft çështje në gjykatë për shkak të pozicionit të mëparshëm si Prokurore e Përgjithshme.

Top Channel