Basha: Mazhoranca, e lidhur me krimin

13/07/2014 00:00

Edhe në Gramsh kryetari i demokratëve Lulzim Basha ka vendosur në qendër të fjalimit të tij çështjen që prej disa ditësh Selia Blu ka vendosur në qendër të aksionit opozitar, atë që ajo e quan mbështetja e dyshes Rama-Meta te krimi.

Basha u zotua se PD-ja nuk do të ndalet nga denoncimi i asaj që cilësoi “kapja e shtetit nga krimi”, të cilin tha ai, e kanë veshur dhe me mandate deputeti për të grumbulluar pushtetin në duart e tyre.
 
“Kemi denoncuar dje, sot, do të denoncojmë nesër dhe përditë lidhjet kriminale të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Vendosjen dhe rrezikun e vendosjes së një oligarkie mafioze për të zëvëndësuar demokracinë e qytetarëve me demokracinë e mafias, kapjen e policisë, spastrimet në administratë, kapjen e institucioneve të pavarura, presionet ndaj gjyqësorit, kapjen e sektorëve të rëndësishëm ekonomikë, likuidimet e elitës sipërmarrëse. Do ta bëjmë këtë jo për interesat tona, por sepse është jetike për vlerat e demokracisë që krimi të jetë atje ku duhet të jetë dhe parlamenti të jetë në lartësinë e përfaqësimit të qytetarëve”, tha kreu i PD-së.
 
Përgjigjia e PD-së për situatën që kreu i saj e quajti të rëndë dhe ogurzi është zgjedhja e njerëzve më të mirë në krye të degëve të forcës më të madhe opozitare, që sipas tij po zgjon shpresë dhe besim tek qytetarët.

“Duke besuar në pushtetin e votës, arritjes në konkluzione të përbashkëta përmes debatit dhe jo përmes heshtjes, përmes evidentimit me mendje të hapur dhe me zemër të hapur duke u parë sy më sy dhe jo prapa shpine, të gjithçka që nuk kemi bërë mirë, ne arrijmë një bashkim të vërtetë dhe frymëzues edhe për të tjerë që duan të vijnë dhe të bashkojnë zërin e tyre dhe aspiratat e tyre me ne. Jemi pjesëtarë të një familjeje që lindi si parti e lirisë, që do të mbetet parti e lirisë dhe me lirinë do ta konsolidojmë e ta bëjmë partinë tonë më të bashkuar, më të fortë, më të dashur dhe më të besueshme për qytetarët”, shtoi Basha.

Top Channel