Shmanget vrasja me pagesë

12/07/2014 00:00

Policia e Kosovës ka parandaluar të shtunën një vrasje të porositur, duke arrestuar në kohë tre persona të paguar nga një shtetas shqiptar.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet policore kosovare, sipas të cilave agjentët kanë zbuluar planin e tre personave, dy shqiptarë dhe një kosovar, të cilët ishin paguar 40 mijë euro për të realizuar ekzekutimin.

Sipas policisë, në pranga kanë rënë shtetasit e identifikuar me inicialet S.D dhe N.M nga Shqipëria dhe B.G nga Kosova, të moshave 44, 49 dhe 39 vjeç.

Policia arriti të parandalonte vrasjen pasi disa ditë më parë kishte marrë informacion për praninë e dy shqiptarëve, atëherë të paidentifikuar, të cilët në bashkëpunim me shtetasin kosovar kishin hartuar skemën e atentatit.

U deshën hetime të koordinuara me prokurorë e gjyqtarë, si dhe me Drejtorinë për hetimin e krimeve të rënda për të arritur në identifikimin dhe më pas prangosjen e tre atentatorëve.

Sipas burimeve, hetimet u kryen duke bërë përgjime, ndjekje të të dyshuarve në rrugë dhe vëzhgime. Prej tyre ka rezultuar se tre personat ishin organizuar mirë për të kryer vrasjen.

Në momentin e arrestimit atyre u është gjetur një pistoletë tip TT dhe një karikator me 8 fishekë, me të cilën dyshohet se do të kryhej atentati.

Aktualisht të dyshuarit kanë marrë nga autoritetet gjyqësore masën e ndalimit me 48 orë, kohë gjatë të cilës policia do vijojë të kryejë proçedurat e tjera hetimore.

Top Channel