Rriten kërkesat në shtëpitë e të moshuarve

28/06/2014 00:00

Edhe pse kërkesat janë të larta, në shtëpitë e të moshuarve nuk ka vende mjaftueshëm. Drejtoresha e shërbimit social, Etleva Bisha thotë se gjatë këtyre ditëve pesë të moshuar të braktisur janë akomoduar dhe kërkohet nga pushteti vendor të investojnë në infrastrukturë.

“Duhen gjetur mundësitë për t’i adresuar këto kërkesa, sepse rrjeti ynë i shtëpive të të moshuarve është i limituar, kapacitetet po ashtu dhe ne s’u përgjigjemi dot të gjitha nevojave të tyre. Në këto shtëpi është investuar shumë pak”, deklaron Bisha.

Politika e Ministrisë së Mirëqënies Sociale është decentralizimi i këtyre shtëpive dhe kthimi i tyre në qendra komunitare.

“Pranë njësive vendore duhet të ngrihen shërbime për adresimin e problemeve të ndryshme të të moshuarve. Ata nuk kanë problem vetëm strehimin, por përfundojnë atje sepse mungojnë shërbimet komunitare. Prandaj, duhen edhe shërbime të tjera në mënyrë që ata të mos kërkojnë si zgjidhje vetëm strehimin rezidencial”, nënvizon Bisha.

Drejtoresha e shërbimit social ka kërkuar fonde nga partnerët privatë për të ndërhyrë në infrastrukturën e shtëpive të të moshuarve, disa prej të cilave janë në gjendje të rëndë.

Top Channel