“Shqip”, reforma territoriale dhe Himara

16/06/2014 00:00

“Shqip” i kësaj jave kushtuar sërish turizmit u ndal në Himarë për reformën administrativo-territoriale dhe si ndikon kjo reformë tek Himara konkretisht si dhe për të dëgjuar ata që e mbështesin këtë reformë dhe ata që e kundërshtojnë atë.

Për të folur për këtë në panelin e gazetares Rudina Xhunga jashtë studiove të Top Channel ishte i ftuar Ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi, kreu i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, sipërmarrësi Nikollaq Neranxi dhe kryeredaktori i lajmeve në Top Channel, Mentor Kikia.

“Ka patur një lloj sensibiliteti më të madh në rastin e Himarës dhe këtë e ndjemë edhe gjatë turit konsultues. Me thënë të drejtën kam ngelur shumë i kënaqur nga debati atje. Sigurisht që pati mendime kundër propozimeve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, nga Komisioni i ngritur për këtë cështje, sikundër pati edhe mendime pro. E rëndësishme është që në pjesën më të madhe të diskutimeve u përpoqën të argumentonin përse jo dhe përse po”, nisi fjalën e tij Ministri Çuçi.

Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha se reforma i zuri të papërgatitur udhëheqësit vendorë në mbarë vendin.

“Ne nuk e prisnim një reformë kaq drastike. Janë dy variante të mundshme. Ajo që dua të shtoj është që në takimin në Himarë ishin të gjithë dakort që të bëhej reforma, riorganizimi i pushtetit vendor dhe mbi të gjitha më shumë kompetenca. Këtu ka qëndrime të ndryshme që për mua nuk kanë shumë rëndësi. Për mua e rëndësishme është që Bashkia e Himarës të mbetet njësi më vete për arsye të interesit që paraqet për qeverinë shqiptare, por edhe për popullin shqiptar, për turizmin dhe për mundësitë e zhvillimit. Ky është qendrimi im dhe ky është qëndrimi i shumicës së himariotëve. Pastaj se sa do të zgjerohet, kjo duhet parë”, deklaroi Goro.

Këto propozime kanë kundërshtarë dhe njëri prej tyre është Nikollaq Neranxi.

“Unë e njoh shumë mirë Himarën, kam studiuar shumë historinë e Himarës dhe njoh mjaft mirë problemet që ka Himara. Unë kam qenë deputet i Kuvendit dhe kam luftuar shumë që himariotët të merrnin titujt e pronësisë mbi tokën, që deri më sot nuk i kanë marrë. Ndarja territoriale nuk ka lidhje me këtë, por flasim për një proces që ka lidhje me zhvillimin e zonës. Himara është historikisht një zonë me 7 fshatra, por në propozime nuk jepet kjo mundësi. Ekziston varianti që e bashkon me zonën e Vranishtit dhe një tjetër që e bashkon me atë të Lukovës. Do të ishte mirë t’i bëjmë të qartë publikut se me cilin variant populli i Himarës është dakort”, tha Neranxi.

Ministri Çuçi u përgjigj: “Në takimin e së premtes, i gjithë paneli ishte dakort për rishikimin e ndarjes administrative sa i përket Himarës, aty ku ndaheshin të pranishmit ishin që të gjithë nuk ishin për variantin me 39, pra variantin që Himara të jetë pjesë e Vlorës, pra një bashkie të madhe. Tek varianti me 47, një pjesë e madhe ishte pro variantit që Himarë, Lukovë, Vranisht të përbëjë një bashki me qendër Himarën. Kishte nga ata që kundërshtonin që thonin ne jemi dakort të bashkohemi me Lukovën, por jo me Vranishtin. Këtu u fokusuan të gjithë debatet dhe i gjithë debati që u bë ishte me faktin nëse Vranishti do të ishte pjesë e Himarës apo jo. Por pjesa më e madhe ishin pro këtij propozimi, madje kryetari i parë i Bashkisë së Himarës në vitin 1992-1996 lexoi një letër që i kishte dërguar institucioneve vendore në atë kohë Presidentit të Republikës, që duam të krijohemi rreth më vete ku të futet, Lukova, Himara dhe Vranishti dhe tha shprehimisht që të zgjerohej edhe me komuna të tjera nëse e shihte të arsyeshme. Që në ’90 kryetari i parë hodhi këtë propozim”.

Neranxi këmbënguli në qëndrimin e tij: “Unë jam kundër të dyve këtyre varianteve. Jam kundër Vranishtit dhe Lukovës. Jam kundër sepse del Omonia dhe i bën thirrje një kryeministri të huaj duke i kërkuar që të ndihmojnë për të bashkuar të gjithë minoritetin. Unë kundër kësaj jam kundër. Përse të mos e lëmë Himarën me 7 fshatrat?”

Kryeredaktori i Top Channel shtoi: “Përderisa njerëzit bien të gjithë dakort që ndarja e re është e domosdoshme, besoj që këtu nuk mund të ketë cështje që tjetër që mund të marrë maksimumin e votave. Të gjithë njerëzit e kanë kuptuar që copëzimi i pushtetit vendor kështu sic është është barriera me e fortë për zhvillimin. Unë mendoj që duhet të jemi të gjithë dakort sa i përket ndarjes, por nëse e shikojmë këtë në bazë të nacionalitetit, mbi bazën e fesë, është gabimi më i madh që mund të bëjmë. Absolutisht nuk është as ndarje politike, dhe aq më keq nëse do të tentojmë ta shikojmë si ndarje mes kombësive apo fetare. Nëse ka dalë një përfaqësues i minoritetit grek në Himarë dhe i ka bërë një letër kryeministri grek, le t’ia bëjë. S’është as hera e parë as e fundit dhe është normale”.

Kikia shtoi se duhet transparencë ndaj opinionit publik për ndarjen. Ministri Çuçi u përgjigj se kjo ka ndodhur.

“Ne cështjet e konsultimeve e kemi nisur herët dhe në pjesën më të madhe të tyre unë kam qenë i pranishëm se bashku me kryetarin e Komisionit të Reformës. Synimi ka qenë transparenca dhe kjo është e rëndësishme shumë. Duhet që të bindim njëri-tjetrin për zgjedhjet që bëjmë, pastaj vendimmarrja është politike”, tha Çuçi.

Kreu i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro u shpreh për domosdoshmërinë e reformës, por shtoi se propozimi nuk është i qartë, qytetarët nuk janë të qartë për të. “Kjo bashki si do të funksionojë?”, pyeti ai.

“Boshti i kësaj reforme është ruajtja e territoreve ekzistuese të komunave dhe bashkive të sotme. Ajo që bëjmë ne është grupimi i administratave për të qeverisur më efektivisht dhe për të krijuar kushte për zhvillim të qendrueshëm lokal”, u përgjigj Çuçi.

Ministri Çuçi këmbënguli tek varianti me 47 njësi të qeverisjes vendore. Ai tha se është modeli që ruan Himarën dhe më i përshtatshëm për t’i garantuar zhvillim këtij territori.

Mentor Kikia ngriti problemin e kompetencave. Ai tha se nëse nuk do të ketë zgjerim kompetencash për krerët e rinj, atëherë reforma nuk ka vlerë.

“Fragmentimi i territorit është shkaku që sot reforma e decentralizimit nuk ka dhënë efektin e pritur. Sot ka 31 kompetenca në ligj. Ajo që duam të bëjmë ne është që ata të ushtrojnë ato kompetenca që ua ka dhënë ligji sepse ata me këtë fragmentim e kanë të pamundur të ushtrojnë këto kompetenca. Ne kemi premtuar që do të cojmë në Kuvend para zgjedhjeve të radhës të qeverisë vendore modelin fiskal”, sqaroi ministri Çuçi.

Top Channel