“Drejtësia si Lazarat i gjithë Shqipërisë”

16/06/2014 00:00

Si asnjëherë tjetër pas marrjes së detyrës si kryeministër, Edi Rama ka dërguar mesazhe fshikulluese dhe vendosmërie se qeveria po përgatitet për ta shpartalluar kastën e prokurorëve dhe gjykatëse të korruptuar, të cilët shefi i qeverisë i quajti bashkëfajtorë në trafikun e qenieve njerëzore.

“Dhe nëse ka diçka që nuk po jep asnjë shenjë bindëse se po ndryshon është drejtësia. As do t’i mbyllim sytë dhe as do t’i ngremë sytë përpjetë duke parë se çfarë vazhdon të bëjë sistemi ynë i drejtësisë. Është fatkeqësi kombëtare që në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me kriminelë, vrasës dhe dhunues që nuk e kanë për herë të parë dhe që janë në gjendje të lirë dhe që disponojnë instrumenta për të bërë dëm deri në marrjen e jetës së njerëzve për një arsye: sepse kanë arritur të korruptojnë gjykatës të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët në lidhje me profesionin, me misionin dhe gjithë përpjekjen e përbashkët të shoqërisë dhe nevojën që çdo familje ka për të pasur siguri për vajzat dhe djemtë e vet”, u shpreh Rama.

Kryeministri në fjalën e tij hodhi një paralelizëm mes Lazaratit dhe drejtësisë shqiptare:  “Ka një Lazarat tjetër të shtrirë në të gjithë territorin me një pandëshkueshmëri që ja ka garantuar vetes dhe ky është sistemi ynë i drejtësisë. Ky është Lazarati real dhe Lazarati më i rrezikshëm që kërcënon çdo ditë ekonominë, shoqërinë dhe jetën e njerëzve tanë. Dhe njësoj siç është e domosdoshme që edhe Lazarati i vogël të vendoset nën rendin ligjor, është ende më e domosdoshme që ky Lazarati i shtrirë nga të katra anët që nuk mbjell kanabis, por pasiguri dhe terror duke bashkëpunuar dhe duke marrë para’ dhe duke lëshuar rrugëve kriminelë që mezi kapen dhe mezi çohen përpara drejtësisë të shpartallohet të shkallmohet dhe të zbrapset njëherë e mirë nga ky vend që e ka marrë peng dhe po i merr frymën.”

Ombrella e pavarësisë e kthyer në instrument mbrojtje nuk do të mund të na pengojë, tha Rama, për të shkatërruar korrupsionin në drejtësi: “Ne duhet të bëjmë betejën që duhet dhe duan jo vetëm shqiptarët, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për ta shporrur këtë kastë gjykatësish dhe prokurorësh të korruptuar që tallen dhe që pasurohen duke marrë jetë njerëzish në bashkëpunim me kriminelët. Ju siguroj që nuk po rrimë duarkryq, por po përgatitemi shumë mirë dhe ofensiva do të fillojë dhe nuk do të ndalet deri kur në Shqipëri të vendoset normaliteti që është jashtë kontrollit të të gjithëve.”

Këto komente shefi qeverisë i bëri gjatë prezantimit të linjës së gjelbër kombëtare dhe aplikacionit Raporto dhe Shpëto, inisiativa më e fundit e Ministrisë së Brendshme në luftën ndaj trafikut të qënieve njerëzore.

Jemi të vendosur, u shpreh ministri Tahiri, ta nxjerrim Shqipërinë nga lista e vendeve nën monitorim nga Departamenti Amerikan i Shtetit për këtë lloj trafiku.

Top Channel