Në Lushnje është bërë zgjedhja e kreut të ri të Partisë  Demokratike. Në hapje të mbledhjes që solli edhe zgjedhjen ishte i pranishëm edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Më pas nisi procesi i votimit që konfirmoi zgjedhjen me shumicë të konsiderueshme votash të Murrizit. Por para nisjes së procesit pati edhe kundërshtime për shkak se nga 11 persona që ishin pretendentë shumica janë tërhequr.

Një nga anëtarët e PD-së, njëkohësisht edhe këshilltar bashkiak, akuzoi se gara ishte e paracaktuar, ndërsa nga gara është tërhequr edhe Eduart Sharka dhe Kastriot Nezha.

“Del i famshmi udhëzim që unë personalisht dhe miq të mi në Lushnje jemi kundër tij sepse nuk mund të deklarosh sot që ne po bëjmë zgjedhje me figura të reja kur t’i ke ‘xhaketa’ të vjetra dhe nuk mund të deklarosh që po vendosim njerëz të PD-së kur ke kundërshtarë të kësaj partie. Ky nuk është vetëm mendimi im, por përfaqëson një linjë të PD-së në Lushnje. Si anëtar i këshillit bashkiak dhe si një demokrat i vjetër nuk më vjen mirë dhe e përsëris, kjo është një farsë”, tha Maku Shehu, anëtar i PD.

Në garë përballë Murrizit ishin Pandeli Boci dhe Nevila Bamit që treguan edhe platformën e tyre.

“Nuk mund të them që 2 kandidatë janë tërhequr 2 ditë para votimit. Konformë udhëzimit të kryetarit të PD-së ishin 11 kandidatë që plotësuan dokumentacionin dhe erdhën të gjithë të konfirmuar nga kryetari, nga këta u tërhoqën 8 kandidatë dhe ngelëm 3 në garë. Nëse bëhet fjalë për 2 të fundit më mirë është të pyesni ata pse janë tërhequr”, u shpreh Myslim Murrizi, kreu i PD-së së Lushnjes.

Në garën për kreun e ri të PD-së në Lushnje morën pjesë 331 votues, nga të cilët 211 vota shkuan për Murrizin.

Top Channel