Kryetari i PD-së Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të PD-së, dega Sarandë.

“Duke nxjerrë udhëzimin të cilin ju të gjithë e njihni: qëllimi kryesor i të cilit është kufizimi dhe papajtueshmëria e mandateve, për të lejuar një shpërthim më të madh të ambicieve, për një pasurim më të madh të alternativave për anëtarët e për një qarkullim më të sigurtë të elitave politike drejtuese në parti, unë kam zgjedhur garën e hapur me pjesëmarrjen e të gjithë kandidatëve të propozuar që nuk bien ndesh me kriteret dhe kërkesat e udhëzimit. Kuvendim i lirë, zgjedhje të lira dhe pushtet i votës. Kjo është platforma dhe deviza e kyetarit të Partisë Demokratike”, deklaroi Basha.

Zoti Basha tha se Partia Demokratike do t’i përgjigjet qeverisjes aktuale me njerëz të aftë e të ndershëm që do t’i risjellin sipas tij qytetarëve besimin tek politika: “Kudo ku Edi Rama dhe kundërshtarët tanë politikë ngulin flamurin e zi të kriminalizimit të qeverisjes apo të administratës me njerëz të përzgjedhur nga mafia, ne do të përgjigjemi me njerëzit më të mirë, me demokratët më popullorë dhe me intelektualët më të aftë, me bindjen dhe besimin se qytetarët shqiptarë janë me ne në këtë mision dhe se asgjë nuk mund të mposhtë forcën e bashkimit tonë.”

Këtë fushatë, zoti Basha e ka konsideruar vendimtare për ringritjen dhe të ardhmen e Partisë Demorkatike si alternativa politike kryesore e qendrës dhe qendrës së djathtë në Shqipëri.

Top Channel