Hetimi për vrasjen e biznesmenit

15/06/2014 00:00

Policia e Durrësit po heton pistën e hakmarrjes për vrasjen e Kujtim Dyrmishit të shtunën në mëngjes në Durrës. Policia shoqëroi dhjetë persona të cilët ishin dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë prej tyre detaje të rëndësishme mbi këtë vrasje.

Policia ariiti të identifikojë edhe automjetin me të cilin u krye vrasja i cila ishte vjedhur në Tiranë në datën 5 maj të këtij viti. Pronarët e automjetit të cilët e kishin denoncuar vjedhjen, u lanë të lirë pas shpjegimeve të dhëna në polici.

Policia ka rihapur një dosje të vjetër, e mbyllur dhe pa autorë, por ku viktima ka qenë i dyshuar si i përfshirë në të. Bëhet fjalë për një vrasje të 6-fishtë të ndodhur në Cërrik në vitin 1997. Dyrmishi ishte hetuar më parë nga prokurorët e rrethit të Elbasanit, por për të nuk ishin gjetur prova si i implikuar në këtë vrasje dhe për këtë ngjarje viktima nuk ishte ndaluar ndonjëherë, por ishte marrë në pyetje në dy seanca për të dhënë shpjegime vite më parë.

Një tjetër lidhje për pistën e hakmarrjes mbetet një vrasje e ndodhur në vitin 2004 në Greqi. Vëllai i viktimës u akuzua dhe më pas u dënua nga drejtësia greke për një vrasje me thikë të një shtetasi nga Vlora në shtetin helen. Për këtë, vëllai i viktimës është duke kryer një dënim prej dhjetë vitesh.

Kujtim Dyrmishi, 49 vjeç, i njohur me psudonimin “Tixhja”, sipas policisë u ekzekutua me armë zjarri në qytetin e Durrësit pesë muaj nga vrasja në një atentat me eksploziv të bashkepuntorit të tij, biznesmenit Xhemal Cela. Ngjarja ndodhi në sektorin “Iliria”.

Top Channel