Zgjedhjet në PD, Basha në Mat

14/06/2014 00:00

Pjesëmarrës në konferencën zgjedhore të degës së Matit, e para që votoi kryetarin e saj të ri pas humbjes së Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi ndryshime të mëdha në forumet drejtuese të forcës politike që po drejton pas dorëheqjes së Sali Berishës.

Tani është pak herët për emra në nivel qëndror, por duke theksuar se vota e lirë e anëtarësisë është në themel të karrierës në këtë parti, zoti Basha vuri në dukje se zgjedhjet në Partinë Demokratike po sjellin njerëz të rinj.

“Me zgjedhjet në seksione, në bazë të statutit dhe udhëzimit të lëshuar, partia ka përjetuar në themelin e saj përtëritjen dhe qarkullimin e nevojshëm të një numri të madh të zgjedhurish, duke sjellë në krye të seksioneve forca të reja, energji të reja, frymëzime të reja, synime të reja, pa të cilat një parti politike nuk ka jetë, nuk ka të ardhme. Qarkullimi i drejtuesve politikë të çdo niveli është një parim i partive demokratike moderne që zbatohet e duhet të zbatohet në vijimësi, në çdo kohë  dhe sidomos në kohën kur partia humbet zgjedhjet, siç i kemi humbur ne, kur kalon në opozitë siç kemi kaluar ne, kur fillon të përgatisë nisjen e re, siç po bëjmë ne”, deklaroi Basha.

Dhe që dikush të mund të bëhet pjesë e ekipit të ri të Partisë Demokratike, siç thotë kryetari i saj, ka një kriter të panegociueshëm: integriteti i të zgjedhurve dhe imazhi i tyre pozitiv në publik. Sipas zotit Basha, dallimi mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe atyre që promovon sot qeveria, duhet të jetë i qartë për shqiptarët.

“Ne, Partia Demokratike, kemi një sfidë dhe një mision qytetar e kombëtar: Të reflektojmë, nga një anë për çdo rast të degradimit dhe shkarjes nga parimi i meritës dhe vlerave në radhët tona. T’i dalim përballë nga ana tjetër dhe t’i përgjigjemi me vendosmëri, me njerëzit më të zotë që ka nxjerrë familja dhe shoqëria shqiptare, shkolla shqipe dhe shkollat e botës ku kanë studiuar e po studiojnë shqiptarët, projektit ogurzi në veprim të kundërshtarëve tanë të promovimit të narkotrafikantëve dhe individëve me rekorde kriminale në politikë, në administratë, në drejtim, duke poshtëruar popullin e duke rrezikuar seriozisht të ardhmen demokratike të vendit”, nënvizoi Basha.

Gjatë këtij muaji, Partia Demokratike do të zgjedhë drejtuesit e saj të rinj në rrethe, një proces që pritet të zgjasë deri në mes të korrikut dhe që do të kulmojë me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, forumi më i lartë i Partisë Demokratike, që ka mandatin të ndryshojë statusin e partisë dhe të zgjedhë Këshillin Kombëtar.

Top Channel