Basha: Zgjedhjet, s’kam të preferuar

13/06/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është bërë pjesë e analizës dhe zgjedhjeve të zhvilluara në një nga grupseksionet e demokratëve të Fierit, qarku i dytë më i rëndësishëm në vend për nga numri i deputetëve që çon në Kuvend.

Tani që forca më e madhe e opozitës është në fazën e zgjedhjes së drejtuesve të saj në bazë, kryetari Basha kishte një mesazh të qartë për demokratët.

“Pushteti në PD i përket votës. Këtë ju kam premtuar kur kam kandiduar, ua kam përsëritur pasi më keni zgjedhur, këtë ju përsëris edhe sot. Zgjedhja nuk është në dorën time, zgjedhja është në dorën tuaj, gjithsecilit prej jush. Ju do të zgjidhni me votë, ju do të përcaktoni me votë njerëzit dhe njerëzit do të marrin përgjegjësitë për shkak të votës suaj. Askush nuk ka tagër t’iu thotë se për kë të votojnë e për kë të mos votojnë; askush nuk ka tagër t’ju bëjë suflerin. Partia do të mbetet e lirë, ashtu siç ka lindur dhe është synimi im madhor, objektivi im numër një, në krye të PD, ta zgjeroj e konsolidoj këtë liri për anëtarësinë e PD”, ka deklaruar Basha.

E rëndësishme për Lulzim Bashën është se në një periudhë të shkurtër kohe Partia Demokratike po rifiton besimin e qytetarëve, të cilët, sipas tij jo vetëm ndihen të mashtruar dhe të keqpërdorur nga koalicioni qeveritar, por edhe vlerësojnë projektin opozitar të Partisë Demokratike.

“Kjo parti e ka një projekt sot, ka një projekt ringritjeje përmes hapjes, bashkimit, ribashkimit, fillimit të ri. Ka një projekt ringritjeje, përmes një opozite të mbështetur mbi fakte dhe argumente që sot dëgjohet, respektohet, pse jo edhe përqafohet nga qytetarë e votues që ndoshta dje as nuk mund t’u shkonte mendja t’i kthenin sytë nga PD. Përmes këtij angazhimi, ne po rikthejmë shpresën dhe besimin, kaq të nevojshëm, në dyert e vatrat e çdo shqiptari e jo vetëm çdo demokrati”, ka theksuar Basha.

Lulzim Basha, i cili do të marrë pjesë në të gjitha konferencat zgjedhore në rrethe, është votuar prej gati një viti në krye të Partisë Demokratike dhe ai ka parashikuar që në mes të korrikut, në prag të 1-vjetorit të zgjedhjes së tij, forca më e madhe e opozitës të ketë përfunduar procesin e zgjedhjeve në bazë, për t’u bërë gati më vonë për zgjedhjen e drejtuesve në qendër. Një proces ky që do të jetë një nga fazat më interesante të drejtimit të Partisë Demokratike nga Lulzim Basha.

Top Channel