Asgjesohet drogë e sekuestruar

13/06/2014 00:00

Një sasi prej 800 kilogramë hashash dhe 6 kilogramë heroinë janë asgjesuar me djegie të premten në zonën e Mulletit, në Tiranë.

Djegia është bërë nga ana e policisë së Tiranës pas përfundimit të proceseve gjyqësore që lidhen me to. Kjo sasi droge është kapur në disa ngjarje të ndryshme që përfshin 25 çështje penale të mbyllura tashmë.

Të paktën 22 çështje lidhen me 800 kilogramë hashash të kapur në kohë të ndryshme dhe 3 të tjera lidhen me sasinë prej 6 kilogramë heroinë të kapura. Personat e kapur për këtë sasi droge tashmë janë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat.

Pas përfundimit të procesit, me urdhër të prokurorit, droga e ruajtur në cilësinë e proves materiale është asgjesuar me anë të zjarrit në anën e lumit në zonen e Mulletit, në Tiranë.

Operacioni anti-drogë shtrihet në Përmet

Policia e Shtetit vijon operacionin e shtrirë në gjithë territorin e vendit për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike.
Këtë herë uniformat blu ndërmorën një operacion në fshatrat e Përmetit ku asgjësuan 220 rrënjë kanabis të mbjellë në dy parcela. Bima narkotike u asgjësua në fshatin Limaj, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin e mbjellësve të saj.

Një ditë më parë, policia njoftoi asgjësimin e mbi 11.800 rrënjë kanabis sativa zonën e Tepelenës. Mbi 100 forca policie janë angazhuar në operacionin e koduar “Drimua”. Ata ushtruan kontroll në kanionet e fshatit Progonat të Komunës Kurvelesh të rrethit Tepelenë, në një terren shumë të vështirë dhe të thepisur.

Operacioni u zhvillua në tre faza, ku në vendin e quajtur Backovë, në kanionet e fshatit Progonat, u gjetën 500 fidanë kanabis të kultivuar në gota plastike gati për t’u hedhur në tokë. Më në thellësi të kanioneve u gjet një serrë me 4000 fidanë kanabis edhe këta të kultivuar në gota plastike, gati për tu hedhur në tokë.

Dhe në fazën e tretë në vendin e quajtur Drimoj, po në kanione, u gjatën disa parcela të hapura rishtas mes pemëve të cilat ishin të kultivuara më bimë kanabis sativa që varionin deri në 25 centimetra gjithsej 7330 bimë kanabis.

E gjithë sasia u asgjësua. Aksion anti-drogë është zhvilluar edhe në Shkodër, ku policia gjeti 118 rrënjë kanabis në zonën e fshatit Pentar në komunën Dajç si dhe në fshatin Fshati Midhë, Komuna Qelëz në Pukë u gjetën 13 parcela me hashash të cilat u shkatërruan.

Top Channel