Ekstradimi i personave të kërkuar veçanërisht nga drejtësia italiane duket se do të vijojë të mbetet një “patate e nxehtë” në gjyqësorin shqiptar.

Rasti më i fundit për të cilin kthehet sërish vëmendja tek dorëzimi i personave me probleme kriminale në shtetin që i kërkon, ka lidhje me shtetasin Gëzim Cela. Dy gjykata, ajo e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit në Tiranë kanë dhënë vendime të ndryshme nga njëra-tjetra. Ndërsa gjyqtari Artur Gaxhi në këtë vendim, me kërkesë të prokurorit të atëhershëm të dosjes “Petrit Fusha”, shpall vendimin për ekstradim, ajo e Apelit dhjetë ditë më vonë e rrëzon ekstradimin si edhe i heq masën e arrestit shtëpiak.

Në vendimin e  Shkallës së Parë vërehet se ai ishte i kërkuar nga gjykatat italiane për veprat e shfrytëzimit të prostitucionit, organizatës kriminale, dëmtime me dashje ndaj një shtetaseje të huaj dhe se shtetasi Gëzim Cela kishte mbi vete një dënim prej 22 vjet e nëntë muaj si edhe rreth 158 mijë euro gjobë nga drejtësia në Itali.

Gjykata e Shkallës së Parë bie dakord me faktin që Cela kishte vuajtur disa vite burg në Shqipëri për këto vepra penale, por thotë se:

“së pari, në kërkesën për ekstradim janë përshkruar disa vendime penale të cilët e kanë deklaruar fajtor këtë shtetas edhe për vepra penale të tjera veç atyre për të cilat është deklaruar fajtor dhe është dënuar nga gjykatat shqiptare; së dyti, në vendimet e dënimit të tij janë përfshirë dhe episode të tjera veprash penale të cilat nuk janë marrë në shqyrtim nga gjykatat shqiptare gjatë gjykimit të këtij shtetasi dhe për të cilat nuk është vlerësuar dhe arsyetuar roli apo fajësia e tij në to.”

Përkundër këtij argumentimi, Gjykata e Apelit me relator gjyqtarin Astrit Haxhialushi e rrëzon vendimin e Shkallës së Parë duke arsyetuar se vendimi i Shkallës së Parë është marrë në shkelje të rënda të rregullave proceduriale, pasi Shkalla e Parë thotë se Apeli nuk ka marrë parasysh kërkesën e avokatëve që kishin kërkuar verifikim nga pala italiane nëse e kishin marrë ata apo jo parasysh faktin që Gëzim Cela kishte vuajtur dënimin në Shqipëri.

Por, gjykata nuk përmend në asnjë rast argumentimin që ka bërë Gjykata e Shkallës së Parë në vendimin kur thotë se Cela kërkohej në Itali edhe për vepra të tjera. Por, ndërsa Apeli pranon se Cela e kishte shlyer dënimin në Shqipëri, lind pyetja se përse u lirua ai? Ky është vendimi i  Gjykatës së Lartë i 2009-s, i cili argumenton në atë kohë se Gëzim Cela vuante nga një tumor i kockës, i pozicionuar në gjurin e këmbës të djathtë, i cili ka bërë një hollim të kockës deri në thyerje. Më tej, Gjykata e Lartë thotë:

Pretenduar dhe nga mbrojtja në gjykim të çështjes ishte dhe fakti që gjendja e Gëzim Çelës mbahet në kontroll të vazhdueshëm në klinika jashtë vendit (Turqi) mbas një ndërhyrjeje kirurgjikale të vështirë i krijon bindjen gjykatës se qëndrimi i tij në burgim i rrezikon jetën. Duke patur parasysh konkluzionin e mjekëve dhënë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë që përgjithësisht rreth 80% e pacientëve me të njëjtin tip tumori vdesin. Kjo tregon që fakti i kësaj sëmundjeje anon nga rrezikshmëria potencialisht e lartë e humbjes së jetës.

Pasi ka marrë refuzimin e apelit, Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar me rekurs Gjykatës së lartë, e cila jo zyrtarisht konfirmohet se ka lënë në fuqi vendimin e apelit që do të thotë një jo përfundimtare për tja dorëzuar atë Italisë. Megjithatë në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë pasqyrohet vetëm që është dhënë një vendim pa treguar se çfarë përmbajtje ka ai.

Top Channel