“Top Story”, dilemat e reformës administrativo-territoriale

12/06/2014 00:00

Shqipëria është parcelizuar në 383 njësi vendore të ndara në bashki dhe komuna, që nga më e madhja, sic është Bashkia e Tiranës e deri tek njësi me 3 mijë banorë. Kjo ndarje është në fuqi që prej fillimit të viteve ’90 me fare pak ndryshime, kryesisht në kompetenca të këtyre njësive.

Me lëvizjet demografike të 24 viteve ka lindur si domosdoshmëri një ndarje e re administrative për t’iu përshtatur këtyre ndryshimeve dhe për të siguruar shërbime më cilësore dhe me më pak kosto për qytetarët.

Domosdoshmëria për një reformë të tillë është pranuar prej vitesh nga klasa politike majtas e djathtas. Por pavarësisht kësaj asnjë propozim konkret nuk ishte hedhur në tavolinë deri kur mazhoranca e re ngriti Komisionin Parlamentar për Reformën Administrativo-territoriale që doli me disa propozime konkrete.

Projektet reduktojnë në mënyrë drastike numrin e njësive vendore. Por ndërsa shumica kërkon reforma të kryehet brenda këtij viti dhe ndarja e re të jetë gati për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, opozita, që ka braktisur këtë reformë kërcënon deri në bojkot të këtyre zgjedhjeve duke e cilësuar reformën me prapavijë politike.

Cila është e vërteta e kësaj reforme? Për t’iu përgjigjur kësaj dhe të tjera pyetjeve, këtë të enjte në Top Story me gazetarin Sokol Balla ishte i ftuar kryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Administrative, Bashkim Fino dhe Ministri i Pushtetit Lokal, një nga autorët e reformës, Bledi Çuçi. Përballë dy përfaqësuesve politikë qëndronin Dritan Shutina, drejtues i Co-plan, një nga organizatat që paraqiti alternativën e saj për reformën, Kristaq Kume, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe analisti Arjan Vasjari, ndërsa në lidhje telefonike ishte kreu i Bashkisë së Leskovikut, Fatmir Guda.

Përse u la kaq vonë kjo reformë kaq e domosdoshme?

“Reforma territoriale është një nga reformat më të rëndësishme dhe që unë do ta quaja historike që do të realizohet brenda kësaj vere. I gjithë spektri politik ka qenë pro kësaj reforme. Mendoj që nëse do ishte bërë që atëherë reformë sot do ta kishim shumë më të thjeshtë dhe sot mbase do të ishim në Europë. Fragmentizimi që ka sot pushteti vendor është shumë i skajshëm. Nuk e ka luksin Shqipëria që të ketë 383 njësi qeverisëse vendore në një sipërfaqje 28 mijë kilometra katërorë. Sot shpenzimet që buxheti i shtetit përballon janë shumë të mëdha. 232 njësi vendore që përbëjnë 62 përqind të njësive vendore sot në Shqipëri, kanë më pak se 5 mijë banorë. Vetëm 8 njësi vendore kanë mbi 20 mijë banorë. Sot këto njësi vendore, ky 62 përqindësh i njësive vendore marrin nga granti i pakushtëzuar i buxhetit të shtetit fonde që 60-70 përqind të tyre i shpenzojnë vetëm për pagat, aq më tepër që këto njësi vendore realizojnë maksimumi 10 përqind të të ardhurave të tyre vendore”, deklaroi kreu i Komisionit të Reformës, Bashkim Fino.

Ai shtoi se nga kjo reformë do të kurseheshin nga 35 deri në 60 milion dollarë paga që shkojnë vetëm për këshilltarët vendorë, numri i të cilëve në shkallë vendi shkon në rreth 6500 të tillë. Sipas Finos, të gjitha partitë politike të përfaqësuara ose jo në parlament janë shprehur pro kësaj reforme, madje e kanë edhe në programet e tyre. Problemi qëndron, tha ai, tek mënyra dhe shtrirja e kësaj reforme.

“Do ta shtrijmë në mënyrë të thellë, të mesme. Në momentin që sot nuk kemi asgjë kundër, hajde të ulemi dhe të diskutojmë se si do ta bëjmë. Deri më tani asnjë reformë nuk është mirëpranuar nga të gjithë”, tha Fino.

Ne kemi qenë të hapur, transparent vijoi Fino. “I dhamë opozitës të drejtën për miratim me konsensus në komision dhe miratim me konsensus edhe në Kuvend. Në fund të janarit në Kuvend kemi ngritur komisionin me dy bashkëkryetarë dhe me nga tetë anëtarë, me të drejtë vetoje ata, me të drejtë vetoje ne. Nga gjithë kjo produkti që do dilte sigurisht që do të ishte konsensual. Pritëm dy muaj kolegët tanë dhe ata nuk erdhën”, deklaroi Fino.

Por a ekziston rreziku që kjo reformë të cënojë decentralizimin e pushtetit?

“Unë mendoj që fragmentimi i territorit ka cuar në atë që reforma e decentralizimit nuk po arrin efektin e vet. Ka një vlerësim nga ekspertët dhe që pranohet nga të gjitha forcat politike që sot decentralizimi nuk po funksionon. Shihet qartë që nuk kemi një reformë që funksionon dhe një nga shkaqet për këtë është fragmentimi i territorit”, u përgjigj Ministri i Pushtetit Lokal, Blendi Çuçi, i cili bëri edhe një historik të ndryshimeve në ligjin për pushtetin vendor dhe për përpjekjet për të ndërmarrë një reformë të thellë administrative ndër vite, por që kanë mbetur në kuadrin e letrës.

Në linjë të drejtpërdrejtë, kreu i Bashkisë së Leskovikut, Fatmir Guda u shpreh kundër propozimeve për reformën. Ai tha se nuk është marrë mendimi i të zgjedhurve vendorë. Por Ministri Çuçi kundërshtoi duke deklaruar se janë ftuar të gjithë të interesuarit për reformën dhe se drejtuesit vendorë janë njoftuar me anë të dy letra, por përgjigjje, sipas tij, kanë kthyer pak prej tyre dhe të gjithë drejtues vendorë të majtë. Çuçi deklaroi se drejtuesit vendorë të Partisë Demokratike janë duke mbajtur qendrim të pastër politik.

Pjesa e dytë e Top Story nisi me sqarimin e kreut të Komisionit të Reformës Bashkim Fino. Ai tha se nuk do të ketë shkrirje të njësive vendore. Komunat dhe bashkitë aktuale do të ruajnë territorin e tyre dhe të gjitha shërbimet do t’u ofrohen qytetarëve.

“Do të ketë shërbime në çdo komunë e bashki aktuale, por do kemi një bashki me një qendër që do të shërbejë për të gjitha njësitë vendore, pra zyrat e njësive vendore do të shërbejnë për qytetarët në cdo komunë dhe bashki që ekzistojnë sot”, tha Fino.

Sigurisht reforma ka edhe kundërshtarët e saj, por kundërshtitë për këtë reformë janë politike, apo sepse projekti i paraqitur është problematik?

Dritan Shutina i “Co-plan”, që është marrë me çështje të administrimit të territorit që prej 2005 dhe njëra prej shoqatave që ka paraqitur një studim se si duhet të jetë ndarja e re, thotë se vetëm reforma nuk e zgjidh problemin e madh të administrimit të territorit në Shqipëri. Sipas tij, kjo reformë duhet të plotësohet me elemente të tjera në shërbim të qytetarit.

Komisioni i Reformës miratoi variant nga 39 deri me 47 bashki.  Përfaqësuesi i “Co-plan” sa i përket varianteve ai thotë: “Sa i përket numrit mund të kishim dy qasje, një qasje graduale dhe një qasje tjetër që të bëhej një konsolidim i thellë dhe të shihej se si mund të rregullohej më vonë. Në të dyja rastet do të kishim një të panjohur. Elementi i zonës funksionale ishte një nga elementët që ishte pozitiv në kriteret e përdorura, që nuk u shpik në kontekstin shqiptar, por që përdoret shumë në politikat e analizave europiane për territorin. Përdorja e këtij kriteri nënvizoi që ne ende nuk i kemi të gjitha të dhënat për të shteruar këtë analizë. Do të ishte ideale që të kishim edhe disa të dhëna të tjera të bashkëveprimit të biznesit etj etj”.

“Kjo reformë nuk duhet të ketë një koncept se si të kursehen ca para dhe se si të jetë më efikas pushteti vendor. Për mendimin tim, ta bësh të suksesshme këtë reformë do të thotë që të ndërtosh edhe nëpërmjet ndarjes së re territoriale të Shqipërisë, mekanizma në atë që e kërkon koncepti, njësi ekonomike funksionale. Të realizosh atë sinergji e të gjithë produkteve që ka zona dhe njësi në të mirën e qytetarëve dhe komuniteteve që jetojnë aty”, deklaroi ish-kreu i KQZ-së, Kudret Kume.

Pavarësisht synimeve dhe domosdoshmërisë për këtë reformë, dy palët e politikës duket sikur kanë llogaritë e tyre elektorale në këtë reformë. Por sa ndikon kjo?

“Nuk është reale. Një reformë e tillë është e ekspozuar për t’u përqasur me ndarjen territoriale dhe hartën e subjektit politik që ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë. Se ekziston një mundësi e tillë, kjo nuk mund të thotë nëse përdoret apo jo. Ndaj them unë është shumë e rëndësishme që produkti përfundimtar duhet të ketë firmën e të gjitha palëve. Vetëm atëherë, ngushtohen mundësitë për t’u sulmuar në kuptimin e hartës elektorale. Se sa mazhoranca e cila ka marrë përsipër për të realizuar këtë reformë, ndryshimin e hartës së Shqipërisë në prapavijë të hartës së vet elektorale, unë këtë nuk di ta them, por di të them që nëse ka patur për kryefjalë të veprimit të saj, arritjen e këtij objektivi tregohet largpamëse”, deklaroi Kume.

Por për Ministrin e Pushtetit Lokal, vetë mazhoranca humbet politikisht nga kjo reformë. “Vetëm interesat që përfaqësojnë kryetarët ekzistues të PS do na dëmtojnë. Pra nëse ka forcë politike që preket nga kjo reformë, është kjo mazhorancë që ka marrë përsipër ta çojë deri në fund këtë reformë”, tha Çuçi.

Ndërsa Dritan Shutina deklaroi se parashikimet për hartën elektorale janë enigmë, pasi nuk dihet efekti që do ketë vetë reforma në sjelljen e votuesit, sjellje që mund të ndryshojë votën e tij.

“Reforma territoriale ka një impekt të padiskutueshmë në një aspekt elektoral. Mbetet për t’u parë nëse ka patur tendecë për të favorizuar mazhorancës dhe dëmtuar opozitën apo jo. Do të kemi një reformë elektorale të njëanëshme pa opozitën dhe në të gjitha rastet do të ngelet një reformë e paragjykuar”, shtoi analisti Arjan Vasjari.

Kreu i Komisionit Parlamentar, Bashkim Fino, njëkohësisht deputet i Partisë Socialiste këmbënguli se reforma ka për qëllim vetëm përmirësimin e administrimit të territorit, ndërsa sa u përket dyshimeve se mund të përdoret për të ndryshuar hartën elektorale, Fino tha se efektet që do të ketë kjo reformë janë të panjohura dhe se vetë reforma mund të ndikojë negativisht në elektoratin e Partisë Socialiste apo gjithë mazhorancës.

Top Channel