Shkatërrohen dy laboratorë droge

12/06/2014 00:00

Dy laboratorë droge u shkatërruan nga policia dhe katër të dyshuar për trafik ndërkombëtar u arrestuan nga forcat speciale në Shqipëri dhe Kosovë.

Operacioni ka nisur fillimisht në Kosovë, ku u ndaluan tre të dyshuar si trafikantë, si dhe 50 kg lëndë narkotike në një laborator të përpunimit të drogës, i cili u sekuestrua nga policia.

Paralelisht me aksionin e nisur në Kosovë, policia shqiptare në bashkëpunim me homologët kosovarë ndaloi në pikën kufitare të Morinës një shtetas, i cili po transportonte një sasi prej rreth 7 kg drogë të llojit kokainë, e cila u bllokua së bashku me automjetin e trafikantit.

Në të njëjtën kohë forcat speciale shqiptare kryen një kontroll në një vilë 3-katëshe në Fushë Kuqe të Kurbinit, në pronësi të shtetasit Gëzim Çela, i dyshuar si shefi i një rrjeti ndërkombëtar të narkotrafikut.

Në banesën e tij u gjetën 18 kg heroinë, rreth 100 kg marijuanë dhe 20 bidonë me një sasi prej rreth 850 litra lëndë që shërben si përzierës i drogës.

Në një njoftim për shtyp, policia bëri me dije se në këtë ndërtesë u gjetën edhe pajisje që shërbejnë për paketimin e lëndës narkotike si presë, shtypëse të lëndës dhe pajisje për heqjen e vakumit gjatë paketimit.

Në këtë banesë u gjeten gjithashtu 9 armë zjarri nga të cilat 3 snajper, një sasi e konsiderueshme fishekësh dhe granata dore. Nën sekuestro përfundoi edhe një mjet tip “BMË” e blinduar.

Policia tha se në këtë rrjet ka edhe persona të tjerë të implikuar, që mund të arrestohen së shpejti. Ky mendohet të jetë një ndër rrjetet më të fuqishme të drogës të linjës Kosovë-Shqipëri.

Në bazë edhe të përgjimeve të kryera prej kohësh, forcat policore kanë siguruar prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e të dyshuarëve.

Top Channel