Rama: Duhet një Europë më politike

12/06/2014 00:00

Pak përpara largimit nga Parisi, kryeministri Edi Rama është intervistuar nga “Radio France International”, ku fillimisht është pyetur nëse ai mendon se ka arsye për të shpresuar, që kjo herë e katërt për statusin e kërkesës së Shqipërisë do të jetë e pranuar?

“Me Europën e ditëve të sotme, asgjë nuk është tërësisht e parashikuar. Por, unë jam optimist, sepse ne kemi bërë gjithçka që duhej bërë, ne e kërkuam statusin edhe në Dhjetor, por, siç ju e përmendët, Këshilli tha se ishte shumë herët, ndoshta sepse në atë kohë qeveria kishte vetëm tre muaj, që kishte ardhur në pushtet. Edhe pse në atë kohë e theksuan, që puna e bërë ishte mbresëlënëse, sërish konkluduan se kishin nevojë për kohë, kështu iu kërkua Komisionit që të ndiqte sërish punën dhe të paraqiste një raport tjetër në muajin Qershor, për të afirmuar ose jo vijueshmërinë e punës së bërë, veçanërisht kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe, Komisioni e nxori raportin para pak ditësh, i cili ishte shumë pozitiv dhe, për më tepër, arsyeja që nuk u tha ishin zgjedhjet Europiane, që ishin për t’u mbajtur. Tani që zgjedhjet Europiane përfunduan, shpresoj shumë që do të shërbejnë dhe do të shtyjnë fort për më shumë Europë, dhe jo më pak Europë”, tha kryeministri Rama.

Sa ndikim do të ketë në vendimin e pas dy javëve, suksesi i partive anti-europiane në Francë dhe Britaninë e Madhe? Kjo ishte pyetja e radhës, drejtuar kryeministrit Rama.

“Nuk është ritmi i zgjerimit që është shumë i shpejtë, por është mungesa e më shumë reformave në Bashkim, është mungesa e më shumë vullneti dhe kurajoje, për të arritur drejt realizimit të vizionit të baballarëve themelues, drejt Shteteve të Bashkuara të Europës. Duhet një Europë më politike dhe jo një Europë, që është peng i takticizmit të lidhur me zgjedhjet e shumta në vend të ndryshme”, u përgjigj Rama.

Rama, në vijim të intervistës, është pyetur edhe për takimin me presidentin francez, nëse ai besonte se tani e ka mbështetjen e tij, duke kujtuar se Franca, në të shkuarën, ka qenë kundër marrjes së statusit nga Shqipëria.

“Jam shumë i gëzuar për mënyrën, se si Presidenti na mirëpriti dhe sa i kujdesshëm ishte në gjithë ato, që kishim për të thënë. Edhe se si ai është i shqetësuar për të ardhmen e rajonit ballkanik, ku 100 vjet më parë filloi Lufta e Parë Botërore dhe 100 vjet më pas, në 2014-n, jetojmë vitin e parë të paqes, pa luftë, pa asnjë konflikt, sepse kemi vendosur të gjithë të bashkohemi drejt Europës”, tha Rama.

Ai iu shprehu qartësisht një mbështetje për kandidaturën tuaj, apo ishte më pak eksplicit?

“Preferoj të pres samitin, ku do të merret vendimi, sepse është një punë në vazhdim dhe nuk është vetëm Franca, por janë shumë vende, të cilët duhet të arrijnë në një konkluzion, ndaj dhe u duhet lënë kohë”, përfundoi kryeministri Rama.

Top Channel