Presidenti i Republikës, mesazh krerëve të shteteve të BE-së

12/06/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u ka dërguar një mesazh të gjithë krerëve të shteteve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nëpërmjet të cilit lobohet që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat bazuar në meritën dhe arritjet e saj.

Në mesazhin drejtuar presidentëve, kreu i shtetit shqiptar thekson: “Me shprehjen e nderimit të madh për Ju dhe vendin Tuaj, si dhe për mbështetjen bujare dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, kam kënaqësinë t’ju informoj se vendi dhe populli im presin me emocion dhe me besim vendimin e Këshillit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë këtë muaj Statusin e vendit kandidat për në BE. Aspirata evropiane ka qenë dhe mbetet aspirata më përbashkuese e popullit shqiptar, shumë herë i goditur nga fati i keq i pushtimeve dhe diktaturave nga më të egrat, por që mbijetoi dhe nisi njëzet e katër vjet më parë një histori të re, që është ajo e demokracisë dhe integrimit në familjen e madhe evropiane, të cilën e vazhdon dhe e çon përpara çdo ditë me vendosmëri të palëkundur.”

“Shqipëria prej disa vitesh është në pritje të marrjes së Statusit të Vendit Kandidat nga vendet anëtare të BE-së dhe rekomandimet pozitive të Komisionit Evropian përbëjnë një konfirmim autoritar se vendi im e meriton plotësisht avancimin e mëtejshëm drejt familjes evropiane. Me kënaqësi të veçantë kemi vërejtur se në raportin që shoqëron rekomandimin e përsëritur pozitiv të muajit qershor, Komisioni konstaton se Shqipëria ka përmbushur bindshëm kushtet e kërkuara, dhe meriton qartësisht njohje të mëtejshme nga Bashkimi Evropian”, shton mesazhi i Presidentit të Republikës.

Më tej lexohet: “Është kjo arsyeja pse shqiptarët dhe unë, si President i Republikës së Shqipërisë, jemi optimistë dhe plot besim se Shqipëria e meriton marrjen e Statusit. Vendimmarrja e 23 qershorit lidhur me këtë çështje do jetë një mesazh i qartë jo vetëm për të vazhduar me frymëzim të ri dhe energji të reja në rrugën e reformave më të avancuara, por mbi të gjitha për qytetarët e vendit tim, për të rinjtë dhe të rejat të cilët përfaqësojnë shumicën e popullsisë dhe përbëjnë të ardhmen evropiane të Shqipërisë.”

Top Channel