Partia Socialiste feston 23-vjetorin

12/06/2014 00:00

Partia Socialiste festoi 23 vjetorin e themelimit të saj. Gjatë fjalimit që zgjati 15 minuta, kreu i kësaj partie, njëherazi dhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, i mëshoi bashkimit të së majtës duke theksuar se ndasitë i përkasin të shkuarës.

“Dëshiroj të flas gjithnjë e më pak për të shkuarën dhe gjithnjë e më shumë për të ardhmen. Sot nuk dua të flas fare për të shkuarën, por nuk mundem ta filloj këtë fjalë veçse duke u nisur nga e shkuara. Nëse kjo ditëlindje na gjen përsëri në drejtimin e vendit kjo ka ndodhur falë mbylljes me kurajë, vullnet dhe sukses të një dasie të fort të se shkuarës mes nesh. Kemi mbyllur më në fund një kapitull sfilitës ndarjeje dhe kemi hapur një kapitull premtues bashkimi, prandaj dëshiroj që në këtë ditë të shënuar të vitit për të gjithë ne socialistët dhe progresistët fjalët e rastit t’ia kushtoj bashkimit. Pavarësisht se sot nuk jemi më të gjithë në të njëjtën parti, themeluesit e partisë simotër të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” u lindën dhe u rritën politikisht në këtë shtëpi të madhe të së majtës europianë të shqiptarëve, e cila 23 vjet më parë u themelua si Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe tek statusi i vendit kandidat.

“Pas pak ditësh do të mësojmë rezultatin e përpjekjes tonë të jashtëzakonshme për marrjen e statusit të vendit kandidat. Le të shpresojmë se Europa do të jetë e çliruar këtë herë nga influenca e paragjykimeve dhe e paragjykuesve që influencuan në vendimin e padrejtë në dhjetor. Pas vizitës në Gjermani dhe bisedës aq inkurajuese me Merkel, unë kam fituar një besim të madh dhe shumë gjëra do të ndryshojnë në vitet që do të vinë për Shqipërinë dhe rajonin. Ndërsa vizitat në Holandë dhe Francë më kanë përforcuar besimin që kam pasur që prej ditës së parë se qeveria jonë do t’i japi Shqipërisë dinjitet të plotë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, deklaroi Kryeministri.

Gjatë fjalimit të tij, Rama tha se reforma territoriale do të miratohet brenda këtij sesioni.

“Kemi në dorë jo një mandat të zakonshëm qeverisës, por një mandat të cilësuar si konsensus kushtetues për reforma transformuese. Reforma territoriale-administrative, e cila nuk u bë dot për 20 vjet do të bëhet realitet brenda këtij sesioni të parë kuvendor të mandatin tonë qeverisës”, tha Edi Rama.

E në fund të fjalimit të tij, Edi Rama nuk kurseu as batutat për ftesat e refuzuara nga deputetët e Partisë Demokratike

“Do të kishim qenë të gëzuar sot, nëse të ftuarit tanë të PD-së do të na kishin nderuar me pjesëmarrjen e tyre në këtë festë bashkimi dhe pa asnjë dyshim nuk do të kishim nguruar ta kishim ngritur një dolli edhe për ditëlindjen e kryetarit të tyre. E kam fjalën për këtë të riun , i cili është më i vjetër se partia jonë, por ka lindur në një datë të shënuar. Shpresoj që në vitin e ardhshëm ne të bëhemi 24 dhe ai 41, të jemi së bashku”, shtoi Rama.

Në fillim të ceremonisë u shfaq një dokumentar për rrugëtimin 23 vjeçar të kësaj partie ku përmes pamjeve erdhën bashkë të gjitha figurat historike të saj. 

Top Channel