Ligji i ri i gradave në ushtri

12/06/2014 00:00

Projektligji i ri i gradave në ushtri ka mbarritur për miratim në Kuvend, ku ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli renditi risitë, të cilat nisin nga disiplimini i fenomenit të ushtarakëve që dalin në lirim apo rezervë.

“Aktualisht madhësia e kësaj ushtrie në rezervë është rreth 17 mijë e 500 ushtarakë, që e bën të rëndë barrën e buxhetit të shtetit. Me pr/ligjin që kemi hartuar parashikojmë një kursim në buxhetin e shtetit prej 540 milionë lekë të reja”, deklaroi Kodheli.

“Mund të ketë efekt në buxhetin e shtetit, por jo në atë të mbrojtjes, që do ta dëmtojë”, replikoi ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu.

“Me shtimin e gradave ligji synon një karrierë më të mirë për ushtarakët, duke iu përgjigjur më mirë kërkesave dhe standardeve profesioniste sipas vendeve të NATO-s”, tha sërish Kodheli.

“Duhet të mendojmë mirë për Forcat e Armatosura pasi ky model do t’i plakë në moshë me 10 vjet të paktën”, replikoi sërish Mediu.

Ndërsa ish-kryeministri Berisha gjeti rastin të përsëriste akuzat për ministren Kodheli, të bëra edhe gjatë seancave të shkuara parlamentare, për rastin e padisë penale ndaj gjeneralit Syrja Gjoka.

Sipas tij, në këtë rast ministrja Kodheli ka ndërhyrë përmes motrës së saj, punonjëse e misionit OPDAT, mision i SHBA, për t’i bërë presion prokurorisë, deklaratë për të cilën ambasada amerikane reagoi duke e kundërshtuar. Por ish-kryeministri gjatë kësaj seance u zotua ta faktonte këtë pretendim.

“Dhe tani do të ta them ty, ajo motra jote ka djegur si shtrigë çështjen e Syrija Gjokës. Ajo e ka bërë këtë dhe unë do t’ia faktoj qeverisë amerikane”, deklaroi Berisha.

Pas akuzës për punonjësen e saj dy javë më parë, Ambasada Amerikane deklaroi se ishte garant i integritetit dhe llogaridhënies së çdo punonjësi të saj, duke shtuar se ishte e skandalizuar nga akuzat e ish-kryeministrit në Parlament, të cilit i kërkoi reflektim për sjelljet e tij.

Top Channel