FH: Politikanët nuk i nënshtrohen ligjit

12/06/2014 00:00

Freedom House publikoi raportin e saj vjetor “Vendet në Tranzicion”, mbi proceset demokratike të 29 vendeve në zhvillim në rajonin e Europës Qendrore dhe Euroazisë.

Sa i takon Shqipërisë, organizata vëren një përparim të lehtë krahasuar me vitin e kaluar. Për vendin tonë kanë ndryshuar pozitivisht vlerësimet në kategoritë e “procesit elektoral” dhe “qeverisjes demokratike në nivel qendror”. Të dy këta sektorë janë përmirësuar me 0.25 pikë në një shkallë nga 1 në 7.

Pesë fushat e tjera që Freedom House vlerëson në raportin e saj të 2014-s dhe që në rastin e Shqipërisë nuk kanë ndryshuar krahasuar me një vit më pare janë: “Shoqëria civile”, “Media e pavarur”, “Qeverisja demokratike në nivel lokal”, “Kuadri ligjor dhe pavarësia e gjyqësorit” dhe “Korrupsioni”. 

Freedom House mendon se “Shqipëria arriti ndryshim pozitiv për herë të parë që nga viti 2008, falë zgjedhjeve parlamentare” të muajit qershor vitin e kaluar dhe “transferimit paqësor të pushtetit”. Vlerësimi për demokracinë që përbën mesataren e shtatë sektorëve të vëzhguar, është përmirësuar nga 4.25 në 4.18, në një shkallë nga 1 në 7, ku 1 përfaqëson nivelin më të lartë të përparimit demokratik dhe 7 nivelin më të ulët.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, drejtoresha e projektit, Sylvana Kolaczkoëska,  u shpreh se “ka shenja të hershme që qeveria e re është e interesuar të ndërmarrë reforma për të ndalur procesin e konsolidimit të pushtetit të vënë re gjatë mandatit të dytë të qeverisë së mëparshme të kryeministrit Berisha.” “Në këtë pikë është ende herët,” shtoi ajo. “Kemi parë jo vetëm retorikë, por edhe hapa konkrete, megjithatë mendoj se është ende shpejt për të festuar. Ajo që mund të them është se duket të ketë një vullnet politik më të madh në këtë qeveri sesa në atë të mëparshmen për të zgjidhur disa nga dobësitë kronike në vend, në veçanti në sistemin gjyqësor shqiptar.”

Sipas Kolaczkoëskas, një nga problemet më të mëdha për drejtësinë në Shqipëri mbetet mungesa e llogaridhënies nga ana e zyrtarëve të lartë. “Mbajtja e përgjegjësisë para ligjit ka qenë e ulët në Shqipëri. Ky problem nuk është trajtuar sa duhet dhe nuk ka patur shumë përmirësim sa i takon përballjes së politikanëve të lartë me drejtësinë. Pushteti ekzekutiv vazhdon të ketë shumë ndikim tek gjyqësori. Mendoj se kjo duhet të ndryshojë që njerëzit të mund të kenë besim tek institucionet,” shtoi ajo.

Në lidhje me sistemin e qeverisjes vendore në Shqipëri, raporti del në përfundimin se qeveritë lokale mbeten të dobëta, të fragmentuara dhe subjekte të manipulimit politik nga qeveria qendrore”, ndërsa korrupsioni vazhdon të jetë një fenomen mjaft i përhapur e me ndikim të madh në jetën e qytetarëve.

Top Channel