Këngëtarët u “paguan” me hashash

10/06/2014 00:00

Dy këngëtarët me shtetësi greke, Panajotis Maskopulos, 27 vjeç, dhe Anastasia Vogiatiazi, 30 vjeçe, të cilët u arrestuan pak ditë më parë, teksa po tentonin të trafikonin gati 60 kilogramë marijuanë, dolën para Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila vendosi për ta masën e sigurisë arrest me burg.

I pari për masë sigurie ishte Markopulos, i cili u përlot para gjykatës, ndërsa në sallë ndodheshin edhe të afërmit e tij.

Por, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dyshime të forta, se dy këngëtarët e rinj, që për dy netë me radhë kishin kënduar në një disko në Sarandë, në vend të parave janë paguar me 63,5 kilogramë hashash.

Prokuroria thotë se ka marrë në pyetje dy të rinjtë, të cilët kanë mohuar se kishin lidhje me drogën e gjetur në makinë, apo përfshirjen në ndonjë rrjet të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë.

Por, ndërsa dy këngëtarët pretendojnë se kishin ardhur në Shqipëri, ashtu si edhe herë të tjera, për të kënduar, as policia dhe as prokuroria nuk gjeti parà në makinën e tyre, edhe pse pronarët e diskos janë shprehur se i kishin paguar me euro.

Të dy këngëtarët, që janë asistuar edhe nga një përkthyes i licencuar i gjuhës greke, nëpërmjet avokatëve kanë kërkuar lirinë, sepse – sipas tyre – ata janë viktima të trafikantëve.

Por, prokurori i çështjes deklaroi se ka prova, që i dyshon dy këngëtarët si të implikuar, sikurse është edhe ngarkesa e kapur në automjetin tip Seat.

Top Channel