Kryeprokurori Adriatik Llalla firmosi ditën e martë urdhërin për “funksionimin e sektorit të krimit kibernetik”, si edhe urdhërin për ngritjen e strukturave të posaçme pranë 8 prokurorive të rretheve, përfshirë edhe Prokurorinë për Krime të Rënda.

Prokuroritë e rretheve ku do ngrihen strukturat e posaçme do të jenë Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Fieri, Korça dhe Shkodra.

Kjo është hera e parë që prokuroria shqiptare ngre njësi të veçanta për hetimin e krimeve kibernetike. Përveç krimeve kibernetike që kanë të bëjnë me mashtrimin, falsifikimin, përgjimin, ndërhyrjet e paautorizura etj., këto njësi do të hetojnë edhe rastet e fyerjes, kanosjes, racizmit apo ksenofobisë nëpërmjet sistemit kompjuterik.

Pjesë e punës së këtyre njësive të posaçme do të jenë edhe botimet apo riprodhimet e paautorizuara në sistemin kompjuterik. Me këtë rast, paraditen e së martës, Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me misionin Pameca, organizuan një seminar trajnues me eskpertë shqiptarë dhe italianë në fushën e krimit kibernetik.

Top Channel