Droga, kapen mbi 560 kg kanabis

08/06/2014 00:00

Policia e Vlorës sekuestroi mbrëmjen e së shtunës 500 kg kanabis sativa gjatë një operacioni të koduar me emrin “Weekend”.

Blutë e qytetit arrestuan tre persona të dyshuar si organizatorë të trafikut, përkatësisht shtetasit Dorian Hametaj, Viron Sadikaj dhe Besnik Bushi.

Sekuestrimi i drogës u bë në afërsi fshatit Kuç, ku policia ndaloi mjetin me të cilin po transportohej kanabisi, një kamionçinë me targë “AA 396 IU”.

Nga të dhënat e policisë mësohet se sasia e drogës ishte fshehur në dyshemenë e automjetit të ndaluar. Burimet sqarojnë se nga hetimet e para rezultoi se droga vinte nga Lazarati dhe kishte si destinacion Italinë.

Ndërkohë, një sekuestrim tjetër prej 63.5 kilogramëve marijuanë në Kakavijë çoi në arrestimin e dy shtetasve grekë, Panajotis Markopoulos dhe Anastasia Vogiatzi.

Ata janë muzikantë dhe kishin hyrë nëpërmjet pikës kufitare të Qafëbotës në Sarandë para dy ditësh, pasi ishin të ftuar për të kënduar në një disko të qytetit bregdetar.

Autoritetet policore lokale njoftuan se materialet e hetimit i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në Tiranë dhe po vijojnë hetimet për zbardhjen e linjës së trafikut.

Top Channel