Vlorë, vijon fushata anti-kanabis

07/06/2014 00:00

Rreth 1080 rrënjë kanabis sativa janë asgjësuar ditën e premte nga Komisariati i Policisë së Vlorës në bashkëpunim me Repartin e Delta Forcë.

Droga ishte e mbjellë në 7 parcela në zonën e Komunës Kotë, përkatësisht në fshatrat Kotë,Vajzë e Lapardha. Bimët e drogës ishin mbjellë nga banorë të zonës kryesisht në toka pa pronarë, të “egra” të pabanuara e kryesisht, përrenjë e kullota dhe nuk ka pasur persona të ndaluar për këtë vepër penale.

Forcat e policise pasi identifikonin parcelën e cila ishte hapur rishtaz në mes të pyllit, numëronin sasinë e bimës së mbjellë që më pas agjësoheshin, shkuleshin dhe digjeshin.Terreni i vështirë në fshatrat e Lumit të Vlorës bën që operacione të tilla të jenë tejet të vëshira.

Kreu i komisariatit të Vlorës Artur Selimaj, i cili drejtonte aksionin, për kamerat u shpreh se këto parcela janë lokalizuar nga informacionet e marra në rruge operative, por dhe krehja e  vazhdueshme e zonës nga inspektorë dhe punonjës të Drejtorisë së Policisë të cilët përditë dalin në terren për asgjësimin e lëndës kanabis sativa.

Ai theksoi se ky aksion do të jetë përditë nga Policia e Vlorës deri në asgjësimin edhe të rrënjës së fundit që është mbjellë në territorin e fshatrave të Vlorës.

Aksioni vjen në kuadër të planit të masave në luftën kundër kanabis dhe do të vijojë përgjatë gjithë verës. Kultivuesit preferojnë zona të rrahura nga dielli dhe kryesisht afër përrenjve.

Top Channel