Qendër për para dhe tetraplegjikët

31/05/2014 00:00

Edhe pse janë me qindra mijëra persona para dhe tetraplegjikë, Shqipëria nuk ka ende një qendër rehabilitimi për ta.

Krerët e Organizatës ndërkombëtare për kujdesin ndaj personave që kanë dëmtime të medullës spinale kanë treguar impaktin që do të sillte kjo qendër në vendin tonë përmes një shërbimi të specializuar.

“Çfarë është më e rëndësishme është përqëndrimi i këtyre të sëmurëve në një qendër. Ata kanë probleme komplekse për shkak të infeksioneve, janë të paralizuar dhe janë të pandjeshëm në shumë pjesë të trupit. Ju duhet të keni një qendër të specializuar ku të japin shërbim specifik mjekët dhe infermierët”, deklaroi mjeku danez Fiel Biering Sorensen.

Ndërsa doktor Dritan Pasku, i cili ka organizuar këtë konferencë shkencore, tha se krijimi i kësaj qendre do të kërkonte bashkëpunimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të organizatave të tjera, pasi investimet kanë kosto të lartë.

“Do të jetë një qendër referimi për këta persona me aftësi të kufizuara. Ata janë pacientë me probleme të ndryshme, prandaj aty duhet bërë grumbullimi i gjithë njohurisë dhe trajtimi i këtyre pacientëve në mënyrë të specializuar në nivelin e mjekut, fizioterapistit apo edhe infermierit”, tha Pasku.

Periudha post-traumatike për një të sëmurë është shumë e rëndësishme për rehabilitimin e tyre. Në vendin tonë shërbime të tilla janë gati inekzistente.

Top Channel