Burrat e vërtetë nuk vrasin gratë

30/05/2014 00:00

Krimi në familje u rikthye sërish dhe këtë herë sërish viktimë e tij kanë qenë gratë. Tri ditë më parë, opinioni publik u trondit nga lajmi i vrasjes së një 21-vjeçareje.

Fatmira Dushku është qëlluar disa herë me armë zjarri nga vetë babai i saj që ka pranuar autorësinë gjatë marrjes në pyetje në Policinë e Dibrës. Shkak i krimit dyshohet se ishte shtatzënia e vajzës nga një lidhje me një person nga i njëjti fshat që ka shtyrë Doksan Dushkun të ekzekutojë vajzën e tij.

Për të folur për rastin në fjalë dhe në përgjithësi për fenomenin e dhunës ndaj gruas në familjet shqiptare në emisionin e Pasdites këtë të premte ishin të ftuara Fatjona Mejdini, gazetare e gazetës Shqip dhe Juli Ristani, gazetare e Fiks Fare.

“Pas fjalës Zot fjala nënë është koncepti dhe fjala më e dashur. Ngjarja e Dibrës, ngjarja e Fushë Kuqes të frikësojnë, të tmerrojnë. Në Dibër ka ndodhur që familjarët thanë që ra vajza nga ballkoni dhe vajtën ta varrosnin. Kaq! Dhe kjo cështje rrezik mbyllej dhe ne nuk do diskutonim fare. Por ishte një lajmërim që më pas u pa që vajza ishte qëlluar me armë zjarri, që ishte shtatzënë. Këtu dalim tek problematika që është shumëplanëshe e shkaktuar. Rezultoi që vajza ka humbur jetën për shkak se është qëlluar me armë zjarri. Është e frikshme sepse është një rikthim në Mesjetë. Nëse më parë kishte një pleqësi që dënonin për nderin pasi ishin sqaruar rrethanat se si kjo grua ishte çnderuar apo kishte bërë një veprim të gabuar, sot çdokush ka marrë përsipër peshën dhe e gjykon vetë. Një përcudnim i atyre rregullave që kanë ekzistuar. Mos të harrojmë që ndodhin në zona shumë të thella, të varfëra ku mentaliteti ka një peshë të jashtëzakonshme, ku të vret opinioni publik”, tha Juli Ristani.

Ndërsa për gazetaren Fatjona Mejdini politikat sociale të mos ngelin vetëm tek sloganet dhe që zyrtarët dhe politikanët të zbresin në terren dhe të njihen me fenomenin, jo thjesht ta dënojnë atë.

“Të kuptojnë faktet reale se përse ndodhin këto histori dhe besoj që për këdo nuk janë të vështira për t’u kuptuar. E para është varfëria e madhe dhe jo pa shkak këto ngjarje ndodhin në zona të thella rurale ku papunësia është më e mprehtë dhe zhvillimi më i vonshëm. Ka ardhur momenti që të gjitha institucionet të marrin përgjegjësitë e tyre. Puna e institucioneve duhet të jetë e vazhdueshme. Unë nuk e di se sa mundësi do të kishte kjo vajzë për të shkuar në polici dhe për të denoncuar kërcënimin e familjes, nuk e di se sa mundësi ka shteti shqiptar për të mbrojtur, të strehojë dhe punësojë vajzat në raste të tilla. Fatkeqësisht duket se ka pak potencial. Duhet ngritur një fushatë e rëndësishme për të ngritur organet e shtetit që të mos bëjnë më fushatë televizive, por të shkojnë atje ku janë problemet”, shtoi gazetarja Mejdini.

Top Channel