Transplanti i veshkave për të shpëtuar gjysmën e familjes Frroku

28/05/2014 00:00

Në Gushtin e vitit të kaluar, jeta e Arben Frrokut do të ndryshonte përgjithmonë. Pas një periudhe të gjatë në emigracion, ai ishte kthyer te familja e tij në Vaun e Dejës, për të marrë pjesë në dasmën e të vëllait. Por, ai nuk e kishte menduar që, po atë ditë, do të merrte një lajm tronditës për shëndetin e tij.

“Pas dasmës u bllokova nga këmbët dhe nuk mund të rrija në këmbë. Shkova bëra analizat në Shkodër dhe doktori më tha që isha shumë rëndë, të dyja veshkat kishin mbaruar së funksionuari”.

Jeta si emigrant ilegal në Greqi nuk i kishte dhënë mundësinë kurrë të kryente vizita në spitalet atje, ku edhe mund ta kishte zbuluar në kohë sëmundjen.

“Kam jetuar shtatë vjetë në Greqi, ku kam ndjerë shqetësime të vogla nga këmbët dhe koka. Thjesht kisha bërë ca vizita te spitali, por jo eko apo analiza të specializuara”.

Tashmë Arbeni e gjente veten i shtruar në spitale, herë në Tiranë e herë në Shkodër, duke pritur që shëndeti i tij të përmirësohej.

“Kisha dhimbje shumë të mëdha dhe më çuan më pas në spitalin e Tiranës, nuk më mbajtën në Shkodër. Më mbajtën me ilaçe dhe kujtuam se isha gati për të hyrë në transplant menjëherë, por nuk u bë gjë”.

Në këto kushte, mjekët i rekomandojnë të shkojë në një spital privat, për të vazhduar më tej kurimin.

“Atje më bënë ndërhyrje kirurgjikale për dializë dhe, prej shtator-tetorit të kaluar vazhdoj dializën tri herë në javë nga 4 orë. Sigurisht kam probleme edhe me transportin, sepse janë mundësitë e pakta për t’i përballuar këto shpenzime”.

Në familjen e Arbenit është edhe e ëma, e cila prej kohësh vuan nga problemet me veshkat. Lekë Frroku tregon vështirësitë e kësaj familjeje të varfër, për të përballuar dy persona të sëmurë.

“Kam mbi 10 vjet që vuaj për punën e gruas nëpër spitale. Edhe ajo i ka të dyja veshkat jashtë funksionit, e kam mbajtur me ilaçe me 600 hapje për çdo muaj”.

Ndërkohë, jo pak herë, shpresat e tyre janë rritur gjatë fushatave elektorale, kur politikanët vijnë dhe iu bëjnë premtime, por që s’i kanë mbajtur.

“Përpara votimeve, erdhën deputetët e zonës dhe më premtuan që do t’i transplantonin veshkën sa të fitonin zgjedhjet. Me mbarimin e votimeve, fituan dhe u shkova atje për t’i takuar. Më premtuan që do të bënin diçka por më kot”.

Në familjen Frroku presin me shpresë, që dikush t’i ndihmojë për të shpëtuar Arbenin dhe mamanë e tij, sepse dhuruesit e veshkave janë gjetur.

“Kam bërë 6 milionë lek analiza te spitali privat për t’i dhuruar veshkën djalit. Edhe sime shoqeje i është gjetur dhuruesi, ia jep e motra, por varet nëse do të na ndihmojë shteti tani. Do Zoti dhe shteti të na ndihmojë”.

Top Channel