Spitali i Kukësit pa ujë

28/05/2014 00:00

Mungesa e ujit të pijshëm për shkak të ujësjellësit të ndërtuar me problem ka prekur edhe spitalin rajonal të qytetit të Kukësit.

Institucioni ku shërbim shëndetësor marrin pacientë jo vetëm nga Kukësi por edhe nga Hasi e Tropoja, gjatë verës rrezikon të mbetet pa ujë të pijshëm.

Hasije Zeneli, drejtore e spitalit thotë se problemi i furnizimit të rregullt me ujë është i pazgjidhshëm dhe se pavarësisht kërkesave për zgjidhjen çështjes, asnjë hap nuk është ndërmarrë për furnizimin e spitalit 24 orë me ujë.

Ky problem i është bërë me dije edhe Avokatit të Popullit, Igli Totozani gjatë vizitës së tij në qytetin e Kukësit. Ai është shprehur se mungesa e ujit jo vetëm për spitalin, por edhe për tërë qytetin e Kukësit do t’i adresohet edhe Parlamentit.

“Kontaktuam drejtorin e ujësjellësit, bashkinë dhe prefekturën por për momentin është e vështirë pasi mungojnë fondet për të bërë një linjë të veçantë për spitalin”, deklaroi Zeneli.

“Avokati i Popullit është një zë më shumë për ata njerëz që kanë probleme të ndryshme, si uji, faturat afrofe, etj. Në këtë drejtim, ne do shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që kemi”, tha nga ana tjetër Totozani.

Mungesa e ujit  në stinën e verës vështirëson akoma më shumë jetën e pacientëve në këtë spital, pasi iu duhet ta blejnë apo ta marrin nga shtëpia.

Megjithëse, qyteti i Kukësit ka ujësjellës të ri, spitali furnizohet vetëm katër orë në ditë me ujë, ndërkohë që gjatë stinës së verës orari i furnizimit me ujë përgjysmohet deri në paksimin total të tij.

Top Channel