Mësim me tableta elektronike

28/05/2014 00:00

Në shkollën e mesme “Andon Zako Çajupi” në Tiranë është përuruar të mërkurën klasa e parë inteligjente, ku dhënia e mësimit do të kryehet përmes tabletave.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ishin të parët që përuruan këtë nismë, e cila pritet të çojë përpara teknologjinë në shkolla dhe që do të sjellë më shumë transparencë.

“Me një tablet në dorë gjithësekush bëhet pjesë e një shoqërie, e një komuniteti të barabartësh, pavarësisht nëse janë në shkollën “Andon Zako Çajupi” apo nëse shkolla e tij është dy orë larg dhe nuk ka as çati”, deklaroi Rama.

“Ne do të mundësojmë që iShkolla, iKlasa, iLënda të jetë një realitet në gjithë formimin tuaj duke mësuar që avantazhet e teknologjisë, mjetet e saj të jenë në përdorimin tuaj jo vetëm për të kënaqur atë që ju e keni, lundrimin në internet, por për t’i kthyer si një mjet të rëndësishëm të edukimit tuaj cilësor, jo vetëm në lëndën e informatikës, por në të gjitha lëndët”, tha nga ana tjeter ministrja Nikolla.

Mësuesit do të jenë të pajisur edhe me regjistrin elektronik, i cili është programuar që çdo informacion mbi nxënësit ta ketë mësuesi, por edhe prindi.

“Falë këtij sistemi dhe programeve që do të përfshihen brenda këtij sistemi, mami dhe babi do ta marrin vesh në kohë reale jeni apo nuk jeni në mësim. Në momentin që mësuesja do të shënojë në regjistrin e saj elektronik, nota do t’i dalë mamit dhe babit në celular. Këto janë të këqia e teknologjisë, nuk keni çfarë t’i bëni se nuk mund t’i ketë teknologjia të gjitha të mira”, tha kryeministri Rama.

Ministria e Arsimit po punon edhe për përmirësimin e kurrikulave në sistemin parauniversitar, të cilat janë edhe duke u unifikuar me Kosovën.

Top Channel