Reduktohet numri i grevistëve

24/05/2014 00:00

Grevistët e urisë kanë nisur të japin shenjat e para të lodhjes në ditën e katërt të protestës së tyre ekstreme, nëpërmjet të cilës i këkrojnë qeverisë të zbatojë vendimet e gjykatave për rikthimin e tyre në administratën publike.

Dy prej grevistëve janë dërguar në qendrën spitalore Nënë Tereza për të marrë ndihmën e shpejtë, për shkak të rënies së tensionit dhe dobësisë fizike.

Organizatorët e grevës janë shfaqur të shqetësuar pas mesditës, sepse sipas tyre, autoritetet spitalore jo vetëm nuk kanë treguar kujdesin e duhur dhe të menjëhershëm në spital, por refuzojnë të kthejnë grevistët me autoambulanca shtetërore, duke i detyruar ata të marrin autoambulanca private që të kthehen në çadrat e protestës.

Më herët gjatë ditës, ata u vizituan nga disa gra deputete të Partisë Demokratike, që kërkuan reagimin e menjëhershëm të kryeministrit.

“Ata po sakrifikojnë me një akt sublim, për një gjë që është buka e gojës e fëmijëve të tyre. Zotëria në godinën aty duhet të bëjë diçka, sepse ia kërkon ligji. Ata janë hequr nga puna në mënyrë të padrejtë dhe përfaqësojnë të gjithë ata që janë hequr padrejtësisht”, deklaroi deputetja Jozefina Topalli.

Ata që rrijnë çdo moment pranë çadrave janë familjarët e grevistëve, të cilët u kanë pohuar gazetarëve se të afërmit e tyre do të vazhdojnë të qëndrojnë në grevë urie, megjithëse gjendja e tyre shëndetësore vazhdon të përkeqësohet.

Top Channel