Protesta e të verbërve

24/05/2014 00:00

Shoqata e të Verbërve dhe Paraplegjikëve i kërkoi qeverisë, nëpërmjet një deklarate për mediat, që të shlyejë pagesat e prapambetura, që shteti i detyrohet kësaj kategorie, për periudhën 2005-2010.

Kësaj kategorie sociale, gjatë periudhës 5-vjeçare, i është ndërprerë pagesa e paaftësisë, e cila parashikon tarifat e telefonit, transportin, çmimin e karburantit, çmimin e energjisë elektrike etj.

Sipas ekspertëve të Këshillit Kombëtar të personave me aftësi të kufizuara, pagesa e prapambetur për çdo individ të kësaj kategorie arrin shifrën e 1 milion lekëve të vjetra.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve dhe Paraplegjikëve, Sinan Tafaj, kërkoi nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, që të zbatojë menjëherë premtimin e saj të vitit 2013, që është bërë nga ministri Veliaj dhe kryeministri Rama.

Zoti Tafaj tha se shoqata e personave me aftësi të kufizuara nuk do të marrë hapa ligjore për zgjidhjen e këtij ngërçi, ndërkaq shpjegoi se pala humbëse në këtë rast do të ishte shteti, të cilit do t’i shtohej një barrë më shumë në buxhet.

“Për një detyrim që rrjedh nga ligji dhe që është e qartë si drita e diellit, që iu është mohuar këtyre njerëzve kjo pagesë, nuk ka përse ne të bëjmë gjyqe dhe të lodhemi pa fund. Nuk ka përse të ringarkohet buxheti i shtetit, sepse shpenzimet e gjyqeve që ne i fitojmë i kalojnë përsëri humbësit, në rastin konkret shteti. Nuk ka përse shteti, në mënyrë të papërgjegjshme, të marrë përsipër kosto të reja. Ekspertët financiarë kanë kërkuar dhe kemi paguar shifra të kripura, të cilat në momentin e ekzekutimit të këtyre vendimeve do t’u ngarkohen institucioneve shtetërore. Ajo që është edhe më thelbësore, është se këto të drejta nuk u takojnë vetëm të verbërve, por edhe personave të tjerë me aftësi të kufizuara, si paraplegjikët, njerëzit me handikape mendore. Këto parà që u janë mohuar nga shteti duhet t’u kthehen”, u shpreh Sinan Tafaj.

Personat me aftësi të kufizuara, prej 5 vitesh nuk i kanë marrë pagesat e tyre, që shteti u detyrohej. Në Shqipëri numërohen në total rreth 7 mijë persona me aftësi të kufizuara, të ndarë në kategori të ndryshme.

Top Channel