Kukësi, qyteti pa ujë

23/05/2014 00:00

Rreth 3.5 milionë eurot e investuara për ndërtimin e ujësjellësit të Kukësit duken si para të hedhura në lumë për shkak se në përfundim banorët e qytetit nuk kanë ujë.

Ndërtimi nisi me shumë bujë vite më parë dhe punimet u zvarritën aq shumë sa i dhanë mundësinë autoriteteve qendrore e lokale të bënin edhe fushatë. Sot, kur ndërtimi ka përfunduar, sërish në Kukës nuk ka ujë të pijshëm.

Edhe vetë banorët janë të bindur se fondet janë vjedhur. “Nëse investimi realisht ka mbaruar dhe ne nuk kemi ujë, atëherë ka diçka që nuk shkon”, thotë një banor.

“Ne si fshat nuk kemi ujë. Investime ka pasur, qeveria ka dhënë lekë, se ku kanë shkuar ato, këtë e dinë ata që i kanë marrë”, shprehet një tjetër.

Ndërtimi nisi më 2009 si premtim elektoral dhe aktualisht bashkia nuk pranon ta marrë në dorëzim. “Shoh një neglizhencë të ministrit, të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellësit për zgjidhjen e këtij problemi. Kemi bërë përpjekje bashkë me prefektin, por s’kemi gjetur dot gjuhën e përbashkët me autoritetet përgjegjëse. Ky është një problem i qytetarëve të Kukësit dhe mua nuk më intereson asnjë qëndrim politik”, deklaron Hasan Halilaj, kryetar i bashkisë.

Aq të dukshme janë defektet dhe problemet e krijuara nga ndërtimi i këtij ujësjellësi, aq sa cilësia e dobët e tubave të përdorur ka shkaktuar përmbytje të tokave në disa fshatra nga uji që rrjedh kot dhe thatësira në shtëpitë e kuksianëve që po u soset durimi.

Top Channel