OKB: Ukraina zhytet në dhunë

16/05/2014 00:00

OKB-ja paralajmëron për një përkeqësim alarmues të gjendjes së të drejtave të njeriut në lindje të Ukrainës, ku separatistët vazhdojnë përplasjet me forcat e sigurisë.

Në raportin e Kombeve të Bashkuara citohen probleme serioze ngacmimi dhe persekutimi të tartarëve etnikë, në Krimenë me shumicë ruse të aneksuar nga Moska në muajin Mars.

Episodet e dhunshme të javëve të fundit, në lindje dhe në jug të Ukrainës, kanë shkaktuar me dhjetra të vdekur.

“Personat me influencë ndaj grupeve të armatosura, përgjegjëse për pjesën më të madhe të dhunës në Ukrainën lindore, duhet të bëjnë ç’është e mundur për frenimin e këtyre njerëzve, që duken se po e copëtojnë atë vend”, tha Navi Pillay, kryekomisionere e OKB-së për të drejtat e njeriut.

Raporti 37 faqesh tregon se rajonet në fjalë po zhyten gjithmonë e më shumë në kaos: demonstratat paqësore të mbështetësve të Ukrainës së bashkuar degjenerojnë në dhunë; protestuesit sulmohen e rrihen; policia lokale nuk bën asgjë për të parandaluar situata të tilla, e ndonjëherë edhe bashkëpunon hapur me agresorët.

Monitoruesit e OKB-së kanë dokumentuar gjithashtu raste vrasjesh të qëllimshme, torturash e rrëmbimesh, vepra më së shumti të forcave anti-qeveritare. Ndër të tjera përmendet edhe fakti, që gazetarët e vëzhguesit ndërkombëtare janë bërë edhe ata prè e sulmeve të dhunshme, duke u cituar pengmarrja e monitoruesve të OSBE-së.

Ekspertët e shohin me shqetësim situatën në lindje të Ukrainës. Një luftë civile në këtë vend do ta ndante Europën në dy blloqe, të cilat politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht do të ndodheshin në konfrontim me njëra-tjetrën. Ukraina do të zhytej në kaos dhe dhunë, thone ata, e katastrofa humanitare do të ishte e pashmangshme.

Top Channel