Ukrainë, atentat “guvernatorit” të Luhanskut

13/05/2014 00:00

Një lider i separatistëve në Ukrainën Lindore është plagosur, pas një tentative për ta eliminuar, ka bërë të ditur zyra e tij e shtypit gjatë së martës, në vazhdën e trazirave që janë thelluar pas referendumit të fundjavës mbi pavarësinë e rajoneve lindore.

Një automjet, me të cilin po lëvizte i vetëshpalluri “guvernator i popullit të Luhanskut”, Valeriy Bolotov, është qëlluar gjatë së martës në rajonin lindor, thanë zëdhënësit e tij. Bolotov u plagos nga armë zjarri, por plagët përshkruhen si “të lehta” dhe jo kërcënuese për jetën.

Ende nuk dihet se kush fshihet pas këtij atentati, ndërkohë që sulmi i raportuar ka ardhur pas shtimit të tensioneve në Donjeck dhe Luhansk, ku separatistët pro-rusë zhvilluan një referendum gjatë së dielës, duke pyetur banorët nëse do të donin të shpallnin pavarësinë nga Ukraina.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili gjendet në Kiev që nga e marta për një vizitë zyrtare, paralajmëroi se situata në Lindje të Ukrainës “është ende e rrëzikshme dhe kërcënuese”, si dhe mbështeti përpjekjet e qeverisë së përkohshme ukrainase për të nisur dialogun kombëtar.

Steinmeier tha se zgjedhjet presidenciale të parashikuara më për 25 Maj duhet të luajnë një “rol vendimtar” në rikthimin e qetësisë në Ukrainë, duke nxitur ndërmjarrjen e hapave për të çarmatosur grupet ilegale separatiste, të cilat kanë pushtuar ndërtesa të rëndësishme në Lindje.

Vizita e tij është e fundit e një serie të tillë nga diplomatë të huaj, të cilët po përpiqen të gjejnë një zgjidhje paqësore të asaj që është kthyer në krizën më të keqe mes Lindjes dhe Perëndimit, që pas fundit të Luftës së Ftohtë.

Përpjekjet e tyre kanë pasur shumë pak fryte deri më tani, për të parandaluar militantët pro-rusë të forcojnë kontrollet e tyre në Lindje dhe Jug të vendit.

Ndërkohë, 6 ushtarë ukrainas janë vrarë dhe 8 të tjerë janë plagosur në një pritë të separatistëve pro-rusë, pranë qytetit lindor të Kramatorskut, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Ajo shtoi se autokolona e blinduar është vënë nën shënjestër sapo i është afruar një ure. Dy prej ushtarëve u vranë kur njëra prej makinave u godit, ndërsa 4 të tjerët pas shkëmbim-zjarrit mes palëve, njoftoi Ministria përmes një deklarate.

Top Channel