Rregullorja në QSUT, mjekët i binden orarit

05/05/2014 00:00

Mjekët e spitaleve në QSUT, tashmë nuk mund të lëvizin drejt klinikave
të tyre apo në spitale të tjera private gjatë orarit zyrtar.

Ndonëse me parë mjeku paraqitej në pavionet e QSUT-së, vetëm 3 apo 4 orë, aq sa i nevojitej për të transeferuar pacientët drejt klinikës së tij private, tani ai është prezent 7 orë e gjysmë, siç parashikohet në rregullore.

“Në bashkëpunim me shërbimet mjekësore, me shefat e shërbimeve, ne jemi duke punuar, sa i përket edhe respektimit dhe disiplinës në punë. Me mbështetjen e tyre dhe me përkrahjen e tyre, sot mjekët janë në eficensë të plotë përgjatë gjithë orarit zyrtar, orarit të punës në spitalet tona”, thotë Ogerta Manastirliu, drejtore e QSUT-së.

Dhe jo vetem gjate javes, por mjeket jane rikthyer ne QSUT edhe diteve te shtuna, ku zakonisht me pare gjeje vetëm mjekun roje, me pretendimin se ishte dite pushimi.

“Të shtunave, mjekët dhe shefat e shërbimeve vetë, së bashku me ekipet e tyre, dalin në punë, gjithashtu dhe duke ndjekur raste të vecanta pacientësh”, thotë Manastirliu.

Drejtorja e QSUT-së, shpjegon se gjithçka eshte percaktuar ne rregullore dhe nuk po bejne gje tjeter veçse po vene ne zbatim ate, nisme e cila ka gjetur mbeshtetjen e te gjithe shefave te sherbimit.

“Statuti i QSUT-së, por edhe rregulloret e dala në zbatim të tij, i përcaktojnë të gjitha masat administrative dhe jo, për sa i përket mungesave në punë. Ato janë shumë mirë të qarta dhe të shkruara.Sigurisht ne nuk do të donim që të merrnim këto masa. Në fakt nuk është se ka qenë praktikisht e nevojshme, por sigurisht pjesa e monitorimit dhe kontrollit mbetet një ndër objektivat tona të punës. Nje institucion kaq i madh është i pamundur të kontrollohet nëqoftëse nuk ka një sistem elektronik të kontrollit. Nuk mund të kontrollosh me burime njerëzore, burimet njerëzore”, thotë kreu i QSUT-së.

Ndonese Manastirliu thekson se nuk eshte ne qellimin e saj ndeshkimi i mjekeve, duket se askush nga mjeket nuk zgjedh te ndeshkohet  me masa administrative qe parashikohen apo t’u cenohet imazhi per thyrje te rregullores. Edhe pse ata paguhen me mire ne klinikat private, ku jane dypunesuar ata vleresojne punen ne QSUT dhe askush nuk deshiron te largohet prej saj .

Top Channel