Rritja e moshës së pensionit dhe arsyet

29/04/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama dhe ministri Erion Veliaj prezantuan skemën e re të pensioneve. Zoti Rama tha se skema aktuale i ngjan një piramide financiare dhe çdo vit shteti detyrohet të kompensojë deficitin e krijuar mes përfituesve dhe kontribuuesve me 430 milion dollarë.

I ftuar në Revistën Televizive të Mbrëmjes Enkelejd Musabelliu, këshilltar në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, një prej hartuesve të kësaj skeme, ka shpjeguar strategjinë për rritjen e moshës së pensionit.

Musabelliu ka folur gjithashtu edhe për kategoritë të cilat do të përfitojnë nga kjo skemë.

Pandi Gjata: Po flitet për rritjen e moshës së pensionit, si dhe sa do të jetë ajo?


Enkelejd Musabelliu:
Më shumë se sa një rritje e moshës së pensionit po flasim për një strategji afatgjatë. Sot çdo skemë pensionesh ka parasysh jo vetëm treguesit ekonomik dhe financiar, por  edhe treguesit social dhe demografik duhet t’i marrë në analizë. Është një fakt që njerëzit po jetojnë më gjatë nga më parë . Demografët thonë se jetëgjatësia mesatare rritet me një vit në 10 vjet. Çdo sistem pensionesh funksionon si llogari kursimi, çdo individ kursen para të përballuar pleqërinë. Në vitet ’50 një individ fillonte punë mesatarisht në moshën 15 deri në 20 vjeç, ndërsa sot hyrja në tregun e punës për një individ është më e lartë, si pasojë e studimeve. Një individ kursen 25 vjet pension dhe të përfitojë 20 vite të tjera, kjo do të bënte që përfitimi të ishte tmerrësisht shumë i ulët. Ka një kohë që quhet, ‘koha e gëzimit të pensionit’, e cila është 15-16 vjet, që individët të përfitojnë një pension të denjë që të përballojnë jetesën, nëse kjo kohë shtrihet në një periudhë 25-30, atëherë pensioni do të rezultojë shumë i ulët. Skema që ne kemi propozuar kontributet  lidhen me benefitet, nuk e përcakton shteti pensionin e një individi, por kontributet që ai ka paguar vit pas viti. Neve jemi munduar që të mos krijojmë asnjë lloj pabarazie dhe të mos kemi asnjë kosto sociale.

Pandi Gjata: Sa do të jetë për burrat dhe sa do të jetë për gratë kjo rritje moshe? 
 

Enkelejd Musabelliu: Së pari do të trajtojë çështjen e grave. Sot në Shqipëri gratë e gëzojnë pensionin për 26 vjet, që do të thotë se është mbi mesataren europiane, ndërsa burrat e gëzojnë pensionin për 14.5 vjet, jemi ndër vendet e fundit në Europë. Prandaj mosha e grave do të rritet pak më shpejt se mosha e burrave, në mënyrë që ato të kenë një pension të lart më vonë. Për gratë mosha do të rritet vetëm 2 muaj në vit, e cila do të fillojë në vitin 2015 dhe në vitin 2032 mosha do të arrijë në 63 vjeç. Kush do të dilte në pension në Janar 2015 do të dali në Shkurt 2015. Në vitin 2032 grave do t’i rritet mosha me nga 2 muaj, ndërsa burrave me një muaj në vit. Ndërsa në vitin 2056 mosha mes burrave dhe grave do të barazohet në 67 vjeç. Në vitin 2056 jetëgjatësia për burrat supozohet të shkojë rreth 82 vjeç, sot është 75 vjeç, ndërsa për gratë nga 79 që është sot të shkojë në 83 vjeç.

Pandi Gjata: Kur është folur ndër vite për skemën e pensioneve gjithmonë qeveritë kanë qenë të kursyera për të rritur moshën. Mos do të ishte më mire një hap për të luftuar informalitetin, të merreshin disa masa të tjera para se të shkohej në këtë skemë?  

Enkelejd Musabelliu: Informaliteti nuk është një çështje vetëm e pensioneve, por e ekonomisë totale. Lufta ndaj informalitetit është fituar me reforma dhe masa të gjithanshme dhe në një afat kohorë. Me këtë skemë kemi bërë që njerëzit të jenë të nxitur për të dalë vetë nga informaliteti. Deri më sot kishte një tavan pensioni, 240 mijë lekë të vjetra, që arrihej me nja pagë rreth 400 mijë lekë të vjetra dhe çdo para që deklarohej sipër kësaj page nuk kthehej mbrapa. Sot mbi 80% janë me pagë minimale sepse i ka shtyrë sistemi të kontribuojnë me pagë minimale. Në momentin që ne i kemi hequr tavanin e pensionin atëherë edhe bizneset dhe shteti mund të thotë dilni nga informaliteti dhe futuni në skemë.

Pandi Gjata: Kur flitet për rritjen e moshës së pensionit flasim edhe për atë kategori që sa më të vjetër të bëhen në vendet e punës nuk është se punëdhënësit janë të prirur të mbajnë një 65 vjeçar.

Enkelejd Musabelliu: Ky është një debat europian dhe shoqëron gjithmonë rritjen e moshës së pensionit, të moshuarit duke qëndruar në punë i zënë vendit të rinjve, kjo nuk është e bazuar në realitet sepse të rinjtë asnjëherë nuk zënë vendet e punës që lënë bosh të vjetrit. Sot Europa ka një papunësi të lartë të të rinjve që shkon diku te 40% për arsye të stanjacionit  ekonomik evropian. Rinia është më e varura nga krijimi i vendeve të reja të punës, të hapura rishtas.

Pandi Gjata: Cilat janë kategoritë që përjashtohen nga kjo rritje e pensionit?

Enkelejd Musabelliu: Është fatkeqësi, minatorët jetojnë më pak dhe në këtë mënyrë është normale që ata të dalin 10 vjet më herët në pension, prandaj mosha e tyre do të shkojë nga 60 në 55 vjeç. Gjithashtu edhe për disa profesione të tjera është ofruar mundësia e uljes së moshës, por me një kusht, për herë të parë në Shqipëri do të krijojmë kuadrin ligjor për skemat profesionale, ku të gjithë punëtorët e një institucioni bien dakord dhe futen së bashku në një skemë profesionale pensioni. Përveç 21.6% që derdhim në skemën e detyrueshme të derdhim një shtesë page, për minatorët kjo do të jetë detyrim ligjor, 3% do e derdhi punëdhënësi dhe 2% punëmarrësi, në këtë mënyrë grumbullohen të ardhurat që këta individ të dalin më herët dhe të financojnë pensionin e tyre. Çdo kategori që dëshiron të dalë më herët në pension mund të bëjnë një marrëveshje kolektive.

Pandi Gjata: Politikanëve i ka ndryshuar mosha e pensionit?

Enkelejd Musabelliu: Ka qenë anormale që funksionarët e lartë të dalin në pension në moshën 55 vjeçare sepse kanë përfitime goxha të majme. Vullneti është që funksionarëve të lartë kushtetues t’i rritet pensioni, në varësi të negociatave që do të kemi, mosha do të shkojë 60 ose 65 vjeç.

Pandi Gjata: Pensioni social çfarë rëndësie do të ketë në këtë skemë të re?

Enkelejd Musabelliu: Ka shumë individ që punojnë në të zezë oshe nuk punojnë fare dhe nuk kontribuojnë, këtë individë rrezikojnë të mbeten pa pension. Në vitin 2015 do të jenë 4900 qytetarë që kanë mbushur 70 vjeç dhe nuk kanë asnjë burim të ardhurash. Në vitin 2070, sipas llogarive tona, do të jenë 117 mijë persona të tillë. Pensioni social do të merret në moshën 70 vjeçare.

Pandi Gjata: A ka parashikuar kjo skemë edhe forma të tjera kontributesh?

Enkelejd Musabelliu: Aktualisht ka një kolonë vullnetare, që çdo individ mund të shkojë të kontribuojë, por kjo është e pazhvilluar. Shumë shpejt, në faqen e ISSH-së do të ketë një vend ku çdo individ do të fusë pagën e vet dhe do të shohë sa mund t’i dalë pensioni. Kush nuk është i kënaqur mund të zgjedhë edhe skemë private.

Top Channel