Kore, numri i viktimave ka shkuar në 58

20/04/2014 00:00

Trup pas trupi janë nxjerrë në breg nga trageti i mbytur koreano-jugor mëngjesin e së dielës, një proces solemn i përshkruar nga thirrjet dëshpëruese dhe të qarat e familjarëve të pasagjerëve.

Skena pikëlluese erdhi vetëm pak pasi 4 varka të policisë u kthyen me shpejtësi, njëri pas tjetrit, teksa e para mbante 4 trupa, e dyta 3 të tjerë, ashtu sikurse dhe 2 varkat e fundit me nga 3 secila.

Të gjithë trupat e nxjerrë nga trageti i mbytur u dërguan në barrelat e ndodhura në portin e Jindo-s, të mbuluar me pëlhura, e pas një inspektimi ato u transportuan të shoqëruar nga policë, të cilët ishin mbytur në lotë, ashtu si dhe familjarët e tyre.

Disa prej të afërmve refuzuan të pranonin atë që po shihnin me sy. “Zgjohu! Zgjohu, të lutem!”, thirri një prej familjarëve në port.

Një skenë kjo që mund të përsëritet sërish, pasi 250 trupa janë ende të pagjetur pas mbytjes së tragetit, ditën e mërkurë, ndërkohë që deri tani janë konfirmuar 58 viktima dhe 174 të tjerë janë shpëtuar vetëm pak kohë pas përmbysjes së tij. Asnjë i mbijetuar nuk është gjetur që nga e mërkura.

Rreth 563 polumbarë janë ende duke kërkuar në ujrat e ftohtë të Detit të Verdhë gjatë së dielës, ndërsa 34 avionë dhe 204 anije do të kontribuojnë në kërkime, bëri të ditur Ministria e Oqeanit dhe Peshkimit, të Koresë së Jugut.

Teksa presin për lajme të kobshme për fëmijët e tyre, kujtojmë se pasagjerët e tragetit ishin të gjithë studentë, të afërmve u janë kërkuar të kryejnë analizat e ADN-së për të identifikuar më pas edhe trupat e viktimave që do të mund të nxirren nga thellësia e detit.

Top Channel