“Top Story”: Bujqësia shqiptare

17/04/2014 00:00

Bujqësia dhe zhvillimi i këtij sektori ka qenë në fokus të puntatës së radhës të emisionit “Top Story”, transmetuar si çdo të enjte në ekranin e Top Channel.

Gazetari Sokol Blla ka menaxhuar këtë herë një panel specialistësh e analistësh, të përbërë nga ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, ekonomisti Adrian Civici, analisti Shpëtim Nazarko dhe Dhimitër Kote, kryetar i komunës Xarë, njëkohësisht fermer prej shumë kohësh.

Panariti: Bujqësia, sektor në zhvillim

I pyetur mbi gjendjen aktuale të bujqësisë shqiptare, ministri Panariti ka theksuar se ajo është një prioritet i qeverisë dhe ka prezantuar disa nga strategjitë e hartuara prej saj, si dhe nga vetë dikasteri që ai drejton.

“Zhvillimi i bujqësisë është një prioritet i qartë, ne do mbështesim bujqësinë që rritet, zhvillohet, eksporton, që krijon mundësi punësimi dhe ky është një qëndrim i shpallur”, ka thënë Panariti.

Sipas tij, strategjia e qeverisë është të nxisë prodhimin, të rrisë rendimentet, pasi prodhimi bujqësor shoqërohet me një reaksion zinxhir vlerash pozitive.

“Kemi në fokus edhe fermerin e vogël, kategori për të cilën ka politika të posaçme. Sidoqoftë, duhet një bujqësi përpunuese që të krijojë edhe produkte eksporti, pasi sjell më shumë të ardhura për vendin”, ka sqaruar Panariti.

Ai ka vlerësuar se bujqësia shqiptare është një sektor ende në rritje dhe zhvillim dhe njëkohësisht ka ende shumë potencial të pazhvilluar.

“Ne kemi 300 mijë ferma ku sipërfaqja e kultivuar e secilës nuk i kapërcen 1.2 hektarë. Pra, duhet të bëhen efiçente të gjitha ndërhyrjet e shtetit tek fermeri. Objektivi ynë për avancimin e ligjit 7501 nuk ka shanse që të kthehet mbrapa”, ka theksuar Panariti.

Ministri ka shtuar më tej se, dikasteri i drejtuar prej tij ka avancuar edhe me shpërndarjen e titullit të pronësisë, por vetë fermerët nuk janë të interesuar të bëhen pronarë.

“Ka disa konflikte interesash. Pronarët e rinj që e kanë marrë tokën, pronarët që e kanë pronën të trashëguar dhe shtetin që duhet të futet dhe të jetë rregullatori. Ky nuk është problem vetëm i Ministrisë së Bujqësisë. Ky është një problem gjithëpërfshirës dhe zgjidhja e tij do të jetë një proces i gjatë”, ka shtuar Panariti.

Nazarko: Qeveritë, sjellje kriminale ndaj bujqësisë

Në anën tjetër, analisti Shpëtim Nazarko ka fajësuar qeveritë e periudhës post-komuniste, të cilat sipas tij e kanë shkatërruar sektorin e bujqësisë dhe nuk kanë ndërmarrë politikat e duhura afatgjata.

“Qeveritë janë sjellë në mënyrë kriminale me bujqësinë. Sot bujqësinë, edhe po të duash ta ngresh, është e pamundur. Bujqësia sot kërkon, për mendimin tim, një reformë radikale”, ka thënë Nazarko.

Ai ka vlerësuar se bujqësia është një çështje për të cilën duhet vepruar në nivel administrativ, pasi në këto 20 vjet tokat bujqësore sipas tij janë shkatërruar.

“Duke shkatërruar sistemet e vaditjes, copat e tokave kthehen në toka të pavlera dhe do shumë kohë që ajo tokë të bëhet efektive”, ka shtuar Nazarko.

Kote: Bujqësia, në këto 20 vjet e injoruar

Në të njëjtën linjë shprehet edhe Dhimitër Kote, prej 17 vitesh fermer dhe prej disa vitesh kryetar i komunës Xarë, i cili vlerëson se në këto 20 vjet sektori i bujqësisë është keqmenaxhuar.

“E vërteta është pak e hidhur, por është e vërtetë. Disa gjëra i kemi bërë gabim në 20 vitet e demokracisë. Problemi qëndron se ne nuk po punojmë në gjënë themelore: toka. Kur thua ‘dheu’ i bie të flasim për tokën dhe me të ne po merremi shumë pak”, ka thënë Kote.

Sipas tij, sistemi komunist, pavarësisht diktatit, për bujqësinë kishte krijuar disa avantazhe, të cilat me rënien e regjimit u prishën, duke e bërë ringritjen e sektorit shumë të vështirë.

“Duhet një reformë shumë e qartë dhe themelore për të luftuar copëzimin, për të bashkuar interesat e njerëzve, për të rritur prodhimin dhe për të hyrë në konkurrencë”, ka thënë Kote.

Ai ka fajësuar të dyja palët politike, të majtë e të djathtë, për këtë problem. “Bujqësia është gurthemeli që një komb të ushqehet mirë dhe të rojë gjatë. Gjendja e bujqësisë shqiptare është diçka që e kanë gatuar të dyja kuzhinat, si PD ashtu dhe PS”, ka deklaruar ai.

“Pas këtyre 22 vjet duhet të arrihet zgjidhja me një revolucion, që do të jetë i rreptë por që do të sjellë një rezultat pozitiv. Kur të nxjerrim prodhimin e duhur në treg, atëherë do të jemi më konkurrues”, ka shtuar kryekomunari.

Civici: Shqipërisë i duhet bujqësi intensive

Nga ana e tij, ekonomisti Adrian Civici ka vlerësuar se, bujqësia duhet të jetë intensive që të japë rezultat. Duke theksuar se në vend një bujqësi e tillë mungon, Civici ka ngritur edhe një paralele me vendet e BE.

“Fermerët në vendet e BE prodhojnë gjithnjë e më shumë që të fitojnë gjithnjë e më pak, por e kanë zgjidhur këtë duke pakësuar aktivitetet bujqësore, duke reduktuar popullsinë rurale dhe duke modernizuar atë bujqësi që mbetet”, ka deklaruar Civici.

Sipas tij, bujqësia shqiptare duhet të krijojë produkte për tregun e brendshëm, të krijojë vende pune në vend dhe më pas produkte për eksport.

“Politikat agrare të ndjekura në këto 24 vjet kanë qenë më tepër politika të tipit “sot për nesër” dhe jo strategjike. Gjithçka ngelet në shpatullat e fermerëve”, ka thënë ekonomisti.

Sipas tij, sektorit jetik për Shqipërinë nuk i kushtohet vëmendja e duhur, gjë që e bën të vështirë zgjidhjen e problemeve, aq më tepër kur buxheti që i kushtohet është i vogël.

“BE, edhe pse e ka buxhetin e vogël, 53 për qind të tij e çon për fermerët. Është vështirë të modernizohet bujqësia jonë nëse nuk bëhet një problem shtetëror”, ka vijuar Civici, i cili më tej ka prekur edhe problemin e pronësisë.

“Përsa u përket pronave, më mirë të ndjekim shembullin e Çekisë apo Polonisë, që ua kthyen tokat pronarëve. Ne si shtet duhet të gjejmë rrugë ligjore që t’i japim një zgjidhje legale çështjes së pronave. Aty ku tokat nuk kanë konflikte interesi, bujqësia jep më shumë rendiment”, ka shtuar Civici.

Pjesa e dytë nisi me debatin se cfarë mund të bëhet për të përmirësuar gjendjen e fermerit shqiptar, në një kohër kur të gjitha të dhënat statistikore tregojnë që sektori i bujqësisë dhe blegtorisë është sektori me të ardhurat më të ulta në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë shqiptare.

Ardian Civici deklaroi se: Celësi i suksesit në bujqësi qëndron tek cmimet. Bujqësia është e ndarë si me thikë në Shqipëri një pjesë e vogël punon për treg dhe pjesa më e madhe ajo e vetëmbajtjes dhe janë shembuj të paktë ata që prodhojnë vetëm për treg. Bujqësia e vendeve të zhvilluara në masën 90 përqind është bujqësi për treg. Po të shikojmë të ardhurat në bujqësi janë dukshëm më të ulta se të ardhurat në sektorët e tjerë si industria, turizmi apo ndërtimi. Ne kemi një treg të agro-ushqimoreve prej 3 mld dollarë dhe nga këto 2 miliard sigurohen nga tregu vendas, 1 miliard importohen, pra kjo tregon që tregu nuk mungon, por duhen politikat.

Ligji 7501 kritikohet për fragmentarizimin e madh të tokës bujqësore. Për ministrin Panariti, sipërfaqja e tokës nuk është thelbësore dhe bëri publike disa nga masat e dikasterit të tij për të stimuluar këtë sektor: “Sipërfaqja e tokës nuk është thelbësore, për mua është cështja e organizimit të fermerëve tek një strukturë e mirëpërcaktuar dhe një treg të garantuar. Fondet në këtë buxhet janë 60 përqind me tepër fonde në skemën e subvencionit. Shumë shpejt cështje javësh do të bëjmë një investim, unë kam një ide, atë të magazina të mëdha të ruajtjes së prodhimit në unazën e Lushnjes, pikërisht aty ku është sot dhe krijimin e një burse ku në momentin që dorëzon mallin të krijohet një miniankand që të organizohet herët në mëngjes si dhe afishimin e cmimit të produkteve në tabela elektronike”.

Për kreun e Komunës së Xarrës duhen politika më të thjeshta dhe më shumë nisma të vetë fermerëve për t’u vetëorganizuar në mënyrë që të cajnë në treg.

Nga ana e tij, Ministri Panariti shtoi se nevojitet studime të mirëfillta të tregut dhe afatgjata për të orientuar fermerin se cfarë të mbjellë. Ai si shembull solli të dhënat, sipas të cilave perimet e freskëta të vendit tonë në dy vite janë rritur m 140 përqind dhe shumë shpejt, sipas tij, këto do të jenë zëri i parë i eksporteve të bujqësisë shqiptare.

Prodhimet me hormone

Në pjesën e tretë debati u ndal tek përdorimi i simulantëve të rritjes dhe pjekjes së perimeve. Ministri Panariti tha se është abuzuar jashtë mase me ketë fakt që po dëmton fermerët. Ai shprehu bindjen se produktet shqiptare janë të sigurta.

“Një temë spekuluese që po bëhet padrejtëisht ndaj fermerit shqiptar. Flas si konsumator dhe specialist i bujqësisë. Cështja e përdorimit të instekticide, të ashtuquajtur hormone, janë stimulues të rritjes dhe pjekjes së perimeve. Për herë të parë në Shqipëri po ndërtjmë një sistem që funksionin nga ferma deri në treg. Për këtë arsye unë mora nismën për të ndërtuar laboratorë të kontrollit të mbetjeve të insekticideve, metaleve të rënda dhe materialeve të dëmshme në Lushnje. Që të funksionojë në bazë duhet të jetë e thjeshtë dhe me procedurë sa më të shkurtër”, tha zoti Panariti duke shtuar se janë investuar miliona euro në aparatura për laboratorët në Gjirokastër dhe Shkodër, që asnjëherë nuk janë vënë në punë dhe që kryejnë analiza të thjeshta, që fare mirë, sipas tij, kryhen edhe në laboratorin e Lushnjes.

Ministri tha se të premten do të bëjë publike disa nga rezultatet e para të analizave në këtë laborator, ndërsa tha se produktet me insekticide janë më pak cilësore se ato bie në treg.

“Tregu i diferencon vetë, një domate bio shitet shumë më shtrentjë se një domate e rritur me hormone”, tha ai. 

Top Channel